

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë për ndërtimin e një godine të re të Parlamentit të Shqipërisë, duke theksuar nevojën për përcaktimin e një kalendari të qartë për realizimin e këtij projekti. Kreu i qeverisë nuk dha detaje konkrete mbi vendndodhjen apo afatet e nisjes së punimeve.
Deklarata u bë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama vuri theksin edhe te domosdoshmëria e modernizimit të administratës së Kuvendit, në kuadër të përmbushjes së standardeve evropiane.
Sipas tij, brenda dy viteve Shqipëria duhet të përmbushë kriteret e nevojshme për integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa administrata parlamentare duhet të mbështetet nga një transformim i thellë teknologjik.
“Duhet ta vazhdojmë me administratën e Kuvendit, që prej kohësh kemi thënë se duhet të modernizohet dhe të mbështetet nga një transformim teknologjik. Nga ana tjetër, duhet të vendosim piketat në një kalendar të qartë për godinën e re të Parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto së bashku ndihmojnë për t’i dhënë më shumë energji pozitive punës së deputetëve”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se modernizimi institucional dhe infrastruktura bashkëkohore janë elementë kyç për forcimin e funksionimit të Kuvendit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






