

Tiranë – Operacioni “Metoda” zbardh 3 vjedhje me thikë, arrestohet 30-vjeçari
Komisariati i Policisë Nr. 4 ka finalizuar operacionin policor të koduar “Metoda”, i zhvilluar për zbardhjen e tre vjedhjeve të kryera me mjet prerës në subjekte tregtare në kryeqytet.
Sipas Policisë, një 30-vjeçar, duke kanosur me thikë punonjëset, ka vjedhur xhirot ditore në tre subjekte biznesi duke shkaktuar shqetësim për punonjës dhe klientë të mundshëm. Autori është kapur pak orë pas vjedhjes së fundit, e kryer mbrëmjen e djeshme.
Ngjarja e fundit u denoncua nga një punonjëse e një njësie të një kompanie telefonike në Rrugën e Dibrës, e cila njoftoi se ishte kanosur me thikë dhe i ishte marrë xhiroja ditore. Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 organizuan veprime të shpejta hetimore dhe operacionale.
Si rezultat i operacionit “Metoda”, u identifikua, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar, shtetasi I. B., 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës (thika) dhe një celular.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se 30-vjeçari, me të njëjtën metodë, kishte kryer edhe dy vjedhje të tjera gjatë muajit dhjetor 2025.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






