

Durrës – Operacioni “Target” zbardh seri vjedhjesh në banesa, arrestohet 29-vjeçari
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Target”, i zhvilluar për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të ndodhura në banesa.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, është identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasi D. C., 29 vjeç, banues në Sukth.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçari, gjatë periudhës dhjetor 2025 – janar 2026, ka kryer tre vjedhje të përsëritura në banesën e një shtetaseje italiane, në zonën e Fermës Sukth, duke marrë shuma parash, bizhuteri dhe pajisje të ndryshme. Po ashtu, ai dyshohet se ka vjedhur edhe në 5 banesa të tjera në këtë zonë.
Gjatë momentit të ndalimit dhe kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të riut një maskë dhe një palë doreza, të cilat dyshohet se i përdorte gjatë vjedhjeve, si edhe një pistoletë sportive, të cilën e mbante pa leje.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, pasi ekziston dyshimi se 29-vjeçari mund të jetë i përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme ligjore, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer më shumë se një herë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






