

Itali, 16 janar 2026
Mbi 160 kilogramë kokainë me një vlerë të përllogaritur prej rreth 20 milionë eurosh janë sekuestruar në provincën e Bergamos, në veri të Italisë, gjatë një operacioni të Guardia di Finanza. Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy shtetas shqiptarë, të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas mediave italiane, operacioni u zhvillua në kuadër të një kontrolli të koordinuar nga njësitë e Guardia di Finanza që veprojnë në Distriktin e Gjykatës së Apelit të Brescias, pas një aktiviteti të zgjeruar vëzhgimi në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo.
Autoritetet bënë të ditur se droga u zbulua pas ndalimit të një automjeti të rëndë tip TIR në një zonë industriale të Bergamos. Gjatë monitorimit, efektivët konstatuan lëvizje të dyshimta të mjetit, drejtuesi i të cilit hyri në rimorkio dhe priti mbërritjen e një automjeti të dytë.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan shtatë çanta të mëdha, brenda të cilave u gjetën 150 blloqe kokaine, me një peshë totale prej mbi 160 kilogramësh. Sipas vlerësimeve të hetuesve, lënda narkotike ishte e destinuar për shpërndarje në tregun italian dhe europian.
Dy të arrestuarit janë vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane dhe pritet të përballen me akuzat për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një veprimtarie të organizuar kriminale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






