

16 janar 2026
Kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar sërish rritje në muajin tetor 2025, duke arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit, pas një periudhe rënieje gjatë muajve të verës.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tetor u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, nga 315 që ishin në gusht. Ky është niveli më i lartë mujor që nga janari 2025.
Megjithatë, në terma vjetorë, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare mbeten në rënie. Për periudhën janar–tetor 2025, gjithsej 4 345 shtetas shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, duke shënuar një rënie prej 29.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në krahasim me vitin 2022, kur emigracioni pas pandemisë arriti kulmin me rreth 11 mijë aplikime për 10-mujorin, numri i kërkesave për azil është më shumë se përgjysmuar. Franca vijon të jetë destinacioni kryesor për azilkërkuesit shqiptarë, për shkak të politikave sociale, e ndjekur nga Gjermania.
Ndërkohë, të dhënat e Eurostat tregojnë se lejet e punës janë kthyer në formën më të preferuar të emigrimit. Për periudhën 2022–2024, vendet e BE-së kanë dhënë mesatarisht rreth 20 mijë leje pune në vit për shtetas shqiptarë, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani, nga vetëm 3–4 mijë një dekadë më parë.
Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shqiptarët. Aktualisht, numri i emigrantëve që largohen përmes kontratave të punës është gati dy herë më i lartë se ai i azilkërkuesve.
Sipas Eurostat, kërkesat për azil nga shqiptarët në BE kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit: 15 mijë në vitin 2022, 11 mijë në 2023 dhe 9.3 mijë në 2024.
Situata në BE
Në tetor 2025, 62 010 shtetas jo të BE-së aplikuan për herë të parë për azil në Bashkimin Europian, një rënie prej 28% krahasuar me tetorin 2024 dhe një rritje prej 6% krahasuar me shtatorin 2025. Paralelisht, u regjistruan 14 495 aplikantë të përsëritur.
Venezuelianët përbënin grupin më të madh të azilkërkuesve për herë të parë (8 140), të ndjekur nga afganët, bangladeshasit dhe sirianët. Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania pritën 74% të të gjithë aplikantëve për herë të parë.
Në tetor, në BE u regjistruan 13.8 aplikantë për çdo 100 mijë banorë, me normat më të larta në Greqi, Qipro dhe Spanjë.
Gjithashtu, 1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për herë të parë për azil, kryesisht nga Somalia, Egjipti, Eritrea, Afganistani dhe Venezuela. Holanda, Greqia, Gjermania dhe Spanja regjistruan numrin më të lartë të këtyre aplikimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






