Transmetuar më 16-01-2026, 08:03

Brukseli po forcon angazhimin politik, financiar dhe ushtarak në Groenlandë, duke u rreshtuar hapur krah Danimarkës përballë rritjes së tensioneve gjeopolitike në Arktik. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për një “strategji të re evropiane të sigurisë”, në një moment kur rajoni po shndërrohet në një pikë nevralgjike të rivalitetit global.

Duke folur në Limasol, pas takimit të Kolegjit të Komisionerëve me qeverinë e Qipros, von der Leyen deklaroi se Danimarka “mund të mbështetet tek Bashkimi Evropian politikisht dhe financiarisht”, duke nënvizuar se siguria e Arktikut është një çështje kyçe jo vetëm për NATO-n, por edhe për BE-në. Sipas saj, investimet evropiane në Groenlandë do të dyfishohen, me rreth 530 milionë euro të planifikuara pas vitit 2027.

Deklaratat vijnë në një klimë të tensionuar diplomatike, pas takimit në Uashington të ministrave të Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, Lars Løkke Rasmussen dhe Vivian Motzfeldt, me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Shtetet e Bashkuara vijojnë të shprehin interes të fortë strategjik për Groenlandën, të motivuar nga siguria kombëtare, rivaliteti me Rusinë dhe Kinën, si edhe nga burimet minerale të ishullit.

Paralelisht me zhvillimet diplomatike, prania ushtarake evropiane në Groenlandë po konkretizohet në terren. Në kuadër të stërvitjes daneze “Arctic Endurance”, në Nuuk janë angazhuar trupa nga disa vende të NATO-s, përfshirë Francën, Gjermaninë, Suedinë dhe Norvegjinë. Edhe pse bëhet fjalë për një kontingjent të kufizuar, reagimi nga Moska ka qenë i menjëhershëm, me Rusinë që e ka cilësuar situatën në Arktik si “shkak për shqetësim serioz”.

Gjermania ka njoftuar dërgimin e një ekipi zbulimi, ndërsa Franca ka vendosur tashmë personelin e parë ushtarak. Britania e Madhe, Holanda, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Estonia kanë shprehur gatishmëri për kontribut, ndërsa Spanja pritet t’i bashkohet këtij angazhimi. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi se rritja e aktivitetit ushtarak rus dhe kinez në Arktik rrezikon lirinë e transportit dhe tregtisë, duke theksuar se NATO “nuk do ta lejojë këtë”.

Von der Leyen rikujtoi gjithashtu rolin afatgjatë të BE-së në Groenlandë, përfshirë hapjen e zyrës evropiane në Nuuk në vitin 2024, e cila synon bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet lokale. Sipas saj, zhvillimet e fundit, nga lufta në Ukrainë te tensionet transatlantike, e bëjnë të domosdoshme një qasje të re strategjike të Evropës ndaj sigurisë.

Strategjia e re evropiane e sigurisë pritet të prezantohet gjatë presidencës qipriote të BE-së dhe do të synojë t’u përgjigjet ndryshimeve të thella gjeopolitike, duke forcuar autonominë strategjike të Unionit. Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, theksoi se mbrojtja dhe siguria janë në krye të axhendës evropiane, së bashku me zgjerimin e BE-së dhe forcimin e autonomisë financiare.

Në këtë kuadër, Komisioni Evropian ka miratuar tashmë planet e investimeve në mbrojtje për tetë shtete anëtare në kuadër të instrumentit SAFE, me një fond prej 150 miliardë eurosh për prokurime të përbashkëta, duke sinjalizuar një fazë të re të konsolidimit të kapaciteteve mbrojtëse të Bashkimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit