Transmetuar më 16-01-2026, 07:59

Qeveria po finalizon rishikimin e hartës së çmimeve të referencës për banesat, duke përfshirë për herë të parë të gjitha zonat rurale të vendit në të njëjtin nivel fiskal me qytetet. Ndryshimi pritet të sjellë rritje të ndjeshme të detyrimeve tatimore për mijëra familje dhe biznese, veçanërisht në zonat jashtë qendrave urbane.

Sipas projektvendimit të ri, zonat rurale nuk do të përfitojnë më nga reduktimi deri në 35% i çmimit të referencës që aplikohej deri tani. Në vend të kësaj, fshatrat do të barazohen me referencat aktuale të rretheve përkatëse, duke u trajtuar njësoj me zonat urbane për qëllime fiskale.

Aktualisht është ende në fuqi VKM nr. 132 e vitit 2018, e cila i ndan rrethet në 67 zona reference. Në korrik 2025 u propozua shtimi i 59 zonave të reja urbane, por ky ndryshim nuk u miratua. Me rishikimin e fundit, harta e çmimeve zgjerohet në 176 zona, ku për herë të parë përfshihen në mënyrë të plotë edhe zonat rurale.

Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet synojnë të pasqyrojnë më saktë vlerat reale të tregut, sidomos në zonat bregdetare dhe turistike ku ndërtimi rezidencial është intensifikuar. Për këtë arsye, disa bashki si Durrësi, Vlora, Saranda dhe Himara ndahen në disa zona kadastrale me çmime të ndryshme reference.

Në Durrës, për shembull, çmimi aktual prej 67,500 lekë për metër katror zëvendësohet nga një hartë me 13 zona, ku çmimet variojnë nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror, përfshirë edhe zonën e portit dhe projektin “Durrës Yacht Marina”. Edhe zonat rurale të bashkisë, përfshirë Lalzin dhe Hamallajn, do të kenë çmim reference të barabartë me atë të qytetit.

E njëjta logjikë zbatohet edhe në Vlorë, Sarandë dhe Himarë, ku zonat rurale do të kenë çmime reference të njëjta me ato urbane, ndërsa vija bregdetare ndahet në breza me çmime më të larta.

Ndryshimet do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e taksës së ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë, pasi baza e llogaritjes së tyre është vlera e pronës sipas çmimit të referencës. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, nga rritja e referencave në rrethe dhe zona rurale pritet të arkëtohen rreth 2.6 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit.

Vetëm nga taksa e ndikimit në infrastrukturë parashikohen rreth 1.8 miliardë lekë, ndërsa nga taksa mbi ndërtesën rreth 868 milionë lekë. Rritja e detyrimeve do të prekë si individët, ashtu edhe bizneset, në të njëjtën masë me rritjen e çmimeve të referencës.

Në hartën e re përfshihet për herë të parë edhe ishulli i Sazanit, i cili përcaktohet si zonë reference me çmim 200 mijë lekë për metër katror, pas prezantimit të projektit rezidencial turistik të shpallur nga investitorë të huaj.

Projektvendimi pritet të miratohet në qeveri dhe të hyjë në fuqi në vitin 2026, duke ndryshuar ndjeshëm barrën fiskale për pronarët e pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit