Transmetuar më 15-01-2026, 22:36

Prishtinë, 15 janar 2026 Akademia e Shkencave e Kosovës ka njoftuar se nuk është bërë pjesë e projektit për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Akademikët nga Kosova shpjegojnë se, pa përcaktimin e parimeve të punës dhe zgjidhjes së dilemave, veçanërisht për çështjet e leksikut, nuk kanë pranuar të marrin pjesë.

Nga ana tjetër, Akademia e Shkencave e Shqipërisë thotë se ftesa për pjesëmarrje iu drejtua të gjithë specialistëve, por pjesëmarrës kanë qenë vetëm anëtarët e Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Fjalori përfshin mbi 105 mijë fjalë dhe 250 mijë kuptime, duke përdorur jo vetëm burimet fjalorike, por edhe veprat e shkrimtarëve që kanë pasuruar gjuhën shqipe, përfshirë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Rexhep Qosen, Sabri Hamitin, Anton Çetën dhe Murat Isakun. Drejtori i Institutit të Gjuhësisë, akad. Prof. Dr. Valter Memisha, thekson se janë krijuar edhe formime të reja si ‘thashathemnajë’, ‘qiellnajë’, ‘lulnajë’ dhe ‘bredhnajë’, të cilat pasurojnë jo vetëm muzikën e gjuhës, por edhe ligjet e formimit të saj të brendshëm.

Në fjalor janë përfshirë mbi 35 mijë njësi nga të folmet dialektore, duke respektuar rregullin që përfshihen vetëm fjalët që mund të ngrihen në nivelin e shqipes standarde. Janë shtuar gjithashtu mbiemrat me ‘shëm’, duke u kushtuar vëmendje gegërishtes. Për huazimet, janë përfshirë vetëm ato fjalë që përdoren nga pjesa më e madhe e shqiptarëve ose që sjellin kuptime të reja.

Fjalori mbështetet në parimet leksikografike të traditës dhe ato bashkëkohore, vendase e ndërkombëtare, dhe ka funksion kryesisht informues, duke synuar pasurimin dhe standardizimin e gjuhës shqipe.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit