Transmetuar më 15-01-2026, 22:11

Tiranë, 15 janar 2026 Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar situatën brenda PD-së, duke theksuar se fokusin aktual e ka tek dëgjimi dhe mbledhja e shqetësimeve të anëtarëve të partisë, jo tek garat personale për poste.

Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, Salianji u pyet nëse do të sfidojë Sali Berishën për drejtimin e PD-së në zgjedhjet e brendshme të partisë. Ai u përgjigj se lëvizja që ka nisur synon rikthimin e Partisë Demokratike si një forcë fituese dhe nuk është fazë gare personale.

“Unë po mbledh shqetësimet e demokratëve. Do të kemi një etapë tjetër kur do të flasim për rrugët e zgjidhjes. Kjo nuk është një fazë ku ka garë apo shprehje ambiciesh personale. Në këtë fazë them vetëm një gjë: dua që PD të jetë fituese. Lëvizja dhe mendimi im është që PD të fitojë dhe të bëjmë gjithçka për këtë. Nuk përjashtoj asgjë nga ajo që do të thonë demokratët. Duhet të gjejmë çdo rrugë, rrugën më të mirë, idetë më të mira dhe ta bëjmë partinë fituese”, tha Salianji.

Deklaratat e tij theksojnë se prioritet mbetet konsolidimi i PD-së dhe përgatitja për të qenë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme, duke lënë hapësirë për diskutime dhe propozime nga vetë demokratët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit