

Tiranë, 15 janar 2026 Taksa e automjeteve tashmë mund të paguhet plotësisht online përmes platformës e-Albania, duke përdorur çdo kartë bankare krediti ose debiti. Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), e cila thekson se procedura realizohet në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt, si nga telefoni ashtu edhe nga kompjuteri.
Sipas DPSHTRR, shërbimi i ri përfiton drejtpërdrejt rreth 770 mijë zotërues automjetesh, duke eliminuar nevojën për paraqitje fizike në sportele dhe duke reduktuar ndjeshëm kohën, kostot dhe burokracinë.
“Pagesa e taksës së mjeteve realizohet tashmë 100% online përmes platformës e-Albania, duke garantuar akses të plotë në pagesë me çdo kartë bankare, në mënyrë të thjeshtë dhe pa praninë fizike”, njofton DPSHTRR.
Institucioni e cilëson këtë shërbim si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të proceseve për qytetarët, duke ofruar një procedurë të aksesueshme në çdo kohë.
Sipas të dhënave zyrtare, përfitimet konkrete për qytetarët përkthehen në:
282,975,000 lekë të kursyera nga shmangia e paraqitjes fizike në sportele;
56,146 ditë pune të fituara falë eliminimit të pritjeve dhe udhëtimeve;
23,100,100 kilometra rrugë të shmangura nga vajtje-ardhjet;
1,617,000 litra karburant të kursyera, me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe mjedisor.
Shërbimi është rezultat i bashkëpunimit mes DPSHTRR, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe sektorit bankar, me synimin për të zgjeruar shërbimet digjitale dhe për të përmirësuar përvojën e qytetarëve.
DPSHTRR thekson se objektivi mbetet ofrimi i shërbimeve publike më të thjeshta, më të aksesueshme dhe më pranë qytetarëve, duke reduktuar kostot, kohën dhe procedurat administrative. Për më shumë informacion, qytetarët mund të vizitojnë platformën zyrtare e-Albania.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






