Transmetuar më 15-01-2026, 18:26

Groenlandë, 15 janar 2026 Njësitë e para ushtarake evropiane kanë mbërritur këtë të enjte në Grenlandë, vetëm disa orë pasi autoritetet e ishullit autonom zhvilluan bisedime zyrtare me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës. Lëvizja shënon një rritje të dukshme të pranisë ushtarake të NATO-s në Arktik, në një moment tensionesh gjeopolitike në rritje.

Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia konfirmuan të mërkurën se po dërgojnë personel ushtarak në kuadër të një misioni zbulimi në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës. Ministria gjermane e Mbrojtjes bëri të ditur se misioni, ku marrin pjesë vende evropiane anëtare të NATO-s, synon të vlerësojë opsionet për forcimin e sigurisë përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia dhe Kina në rajonin arktik.

Sipas Berlinit zyrtar, 13 pjesëtarë të Bundeswehr-it do të vendosen në Nuuk nga e enjtja deri të dielën, pas një ftese të drejtpërdrejtë nga Danimarka.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca do të dërgojë së shpejti forca shtesë tokësore, ajrore dhe detare për të marrë pjesë në stërvitje ushtarake në Grenlandë. “Një grup i parë ushtarësh francezë është tashmë në vend dhe do të përforcohet në ditët në vijim nga toka, ajri dhe deti”, tha Macron gjatë një fjalimi të Vitit të Ri drejtuar forcave të armatosura.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Grenlandës, Mute Egde, konfirmoi se prania e trupave të NATO-s pritet të rritet më tej në ditët në vijim. Ai paralajmëroi më shumë fluturime dhe anije ushtarake në zonë, duke theksuar se forcat do të angazhohen kryesisht në stërvitje.

Njoftimi për misionin ushtarak përkoi me takimin në Uashington të ministrave të Jashtëm të Danimarkës dhe Grenlandës me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen pranoi se qëndrimi i SHBA-së mbetet i pandryshuar.

“Ne nuk kemi arritur ta ndryshojmë qëndrimin amerikan. Është e qartë se presidenti ka dëshirë të pushtojë Grenlandën. Prandaj, kemi ende një mosmarrëveshje themelore – pajtohemi që nuk pajtohemi”, deklaroi Rasmussen për mediat.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit