

TIRANË, 15 Janar 2026 – Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike prej 3.5% për Shqipërinë në vitin 2026, duke e renditur vendin mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Parashikimi mbetet i pandryshuar krahasuar me raportin e publikuar në vjeshtë, duke reflektuar një stabilitet relativ të ecurisë ekonomike.
Sipas ekspertit të ekonomisë Elvin Meka, kjo normë rritjeje është në linjë me pritshmëritë e FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë, por vijon të mbështetet në të njëjtët faktorë zhvillimi, pa sinjale të qarta për transformim strukturor të ekonomisë.
Meka thekson se Shqipëria vazhdon të mos ketë një model të ri zhvillimi ekonomik, ndërsa mungojnë politikat që do të çonin drejt riindustrializimit dhe diversifikimit të burimeve të rritjes. Sipas tij, rritja prej 3.5% është optimale për modelin aktual ekonomik, por nuk mjafton për të prodhuar mirëqenie të qëndrueshme dhe rritje reale të të ardhurave për qytetarët.
“Një ekonomi që mbështetet në të njëjtët motorë zhvillimi nuk mund të garantojë përballimin e krizave të ardhshme”, paralajmëron Meka, duke shtuar se forcimi i sektorëve prodhues dhe politikat afatgjata industriale janë thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm.
Në nivel rajonal, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor shfaqin ritme të ndryshme rritjeje. Kosova pritet të udhëheqë rajonin me një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa Shqipëria renditet e dyta. Pas saj vjen Serbia me një rritje të parashikuar prej 3%, ndërkohë që Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi pritet të kenë normat më të ulëta të rritjes ekonomike.
Ekspertët bien dakord se, ndonëse treguesit makroekonomikë janë pozitivë, sfida kryesore mbetet përkthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie konkrete, punësim cilësor dhe rritje të qëndrueshme të standardit të jetesës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






