Transmetuar më 15-01-2026, 17:45

SHISHTAVEC, 15 Janar 2026 – Një masiv shkëmbor është shembur në afërsi të fshatit Krushev, duke shkaktuar bllokimin e plotë të rrugës nacionale Dragash–Shishtavec.

Si pasojë e shkarjeve të dheut dhe gurëve, të dy korsitë e qarkullimit janë bërë të pakalueshme, duke pamundësuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment rrugor me rëndësi për zonën.

Menjëherë pas ngjarjes, Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar rreziqe të mundshme për jetën e qytetarëve. Autoritetet kanë vendosur sinjalistikë paralajmëruese dhe kanë ndaluar qarkullimin e mjeteve në zonën e rrezikuar.

Në kuadër të masave të sigurisë, Policia e Kosovës u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.

Rruga Dragash–Shishtavec lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks i rëndësishëm drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec, çka e bën ndërprerjen e qarkullimit problematike për banorët dhe udhëtarët.

Autoritetet po vijojnë punën për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit sa më parë të jetë e mundur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit