

HAGË, 15 Janar 2026 – Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë kanë njoftuar se deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt 2026.
Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Sipas rendit të ditës të publikuar nga Gjykata, më 9 shkurt deklaratën përmbyllëse do ta mbajë Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa më 10 shkurt pritet fjala përfaqësuese e mbrojtësit të viktimave.
Më 11 shkurt, deklaratën përmbyllëse do ta paraqesë ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa më 12 shkurt ajo e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. Më 13 shkurt do të vijojë mbrojtja e Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit zyrtar, më 16 shkurt do të vazhdojë deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Krasniqit, ndërsa më pas është parashikuar kohë për pyetje të mundshme nga trupi gjykues. Më 18 shkurt, nëse nuk ka ndryshime në agjendë, do të mbahen përgjigjet përfundimtare të palëve dhe deklaratat personale të të akuzuarve.
Para nisjes së deklaratave përmbyllëse, palët janë të obliguara të dorëzojnë dosjet përfundimtare deri më 30 janar.
Pas përfundimit të këtij procesi, trupi gjykues ka afat tre muaj për marrjen dhe shpalljen e vendimit, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë, ose më gjatë në raste të jashtëzakonshme.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023. Gjatë procesit, Prokuroria paraqiti 125 dëshmitarë, ndërsa 117 të tjerë dhanë dëshmi me shkrim. Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit paraqiti dëshmitarë, ndërsa Veseli dhe Selimi nuk paraqitën prova mbrojtëse.
Në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit ishin edhe figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë ish-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit James Rubin dhe gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, ish-komandant i forcave të NATO-s gjatë fushatës ajrore të vitit 1999.
Ndërkohë, Hashim Thaçi përballet edhe me një çështje tjetër për pengim të drejtësisë, gjykimi i së cilës pritet të nisë më 24 shkurt 2026.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale, janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe funksionojnë si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, me personel ndërkombëtar dhe seli në Holandë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






