Transmetuar më 15-01-2026, 16:11

TIRANË, 15 Janar 2026 – Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi kishte ndërtuar pa leje dhe kishte ndotur lumin e Tiranës duke shkarkuar mbetjet inerte të ndërtimit.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Bazamenti”, i finalizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, si pjesë e kontrolleve të intensifikuara për goditjen e krimeve kundër mjedisit.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në territorin e qarkut Tiranë, veçanërisht pranë sipërfaqeve ujore të rrezikuara nga shfrytëzimi i paligjshëm apo ndotja, u konstatua në rrugën “Myslym Keta” një rast i rëndë shkeljeje ligjore.

Në pranga u vu shtetasi L. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se kishte ndërtuar një objekt pa leje (kapanon) dhe kishte nisur punimet për ndërtimin e një objekti tjetër, gjithashtu pa dokumentacion ligjor.

Nga verifikimet rezultoi se mbetjet inerte të krijuara nga punimet e ndërtimit, 43-vjeçari i shkarkonte në lumin e Tiranës, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të mjedisit.

Policia bën me dije se kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit