Transmetuar më 15-01-2026, 15:25

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot nisjen e një procesi rishikimi të ligjit për Arsimin e Lartë, duke theksuar se ndryshimet nuk do të presin sesionin e ardhshëm parlamentar, por do të përgatiten dhe miratohen brenda këtij sesioni.

Gjatë një takimi me rektorët e universiteteve, Rama u shpreh se ka ardhur koha për të reflektuar mbi efektet e ligjit aktual, i cili sipas tij ka krijuar një bazë të mirë funksionimi, por ka nevojë për korrektime në përputhje me zhvillimet e kohës.

Kryeministri bëri të ditur se ndryshimet do të hartohen nga një grup pune me ekspertë, në bashkëpunim me drejtuesit e universiteteve, ashtu siç ka ndodhur edhe në procesin e mëparshëm të hartimit të ligjit. Ai theksoi se eksperienca e krijuar do të ndihmojë që ky proces të realizohet në një kohë të arsyeshme.

Një tjetër pikë kyçe e fjalës së Ramës ishte sfida e ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe racionalizimit të burimeve financiare dhe njerëzore. Sipas tij, universitetet shqiptare kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt pavarësisë financiare, duke rritur kapacitetin për të siguruar fonde jashtë buxhetit të shtetit, përmes projekteve europiane dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Rama solli si shembull Universitetin e Tiranës, i cili ka arritur të rrisë të ardhurat dhe të përmirësojë kushtet për pedagogët më aktivë, duke krijuar një realitet të ri në menaxhimin universitar.

Në përfundim, Kryeministri u shpreh se në takimin e ardhshëm synohet një diskutim i hapur mbi këtë proces, duke përfshirë jo vetëm universitetet publike, por edhe rektorët e institucioneve private të arsimit të lartë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit