

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të kryejë një inventar të plotë të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe se, sipas tij, të gjithë banorët e prekur do të dëmshpërblehen kur PD të vijë në pushtet. Berisha e cilësoi situatën si një emergjencë të krijuar jo nga natyra, por nga dështimi dhe korrupsioni shtetëror.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se përmbytjet më dramatike janë ato që, sipas tij, janë “home-made”, të shkaktuara nga dora e njeriut. Ai nënvizoi se reshjet e shiut nuk janë shkaku kryesor i situatës, por jashtëfunksionimi i infrastrukturës mbrojtëse, veçanërisht në ultësirën e Durrësit.
Sipas Berishës, dy hidrovorë kryesorë dhe kanalet kryesore që mbrojnë këtë zonë kanë qenë jashtë funksioni. Ai akuzoi për vjedhje të pajisjeve në hidrovorin e Hamallës, duke deklaruar se janë zhdukur tre pompa të fuqishme dhe motorët e tyre, ndërsa askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Në të njëjtën kohë, Berisha kritikoi deklaratat e qeverisë që, sipas tij, fajësojnë qytetarët për hedhje mbetjesh në kanale.
Kreu i PD-së deklaroi se nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar mbi 40 milionë euro për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, por, sipas tij, këto fonde kanë përfunduar në korrupsion. Ai solli si shembull edhe hidrovorin e Porto Romanos, për të cilin tha se është vendosur në mënyrë të gabuar dhe se një pjesë e portave të tij nuk funksionojnë.
Berisha akuzoi qeverinë për mungesë përgjegjësie dhe për mosshpalljen e gjendjes së emergjencës civile, duke thënë se kjo është bërë për të shmangur detyrimin ligjor për kompensimin e dëmeve. “Pas 10 ditësh u mblodh i ashtuquajturi komitet i emergjencave civile, por pa shpallur emergjencën, në mënyrë që të mos dëmshpërblehen qytetarët”, u shpreh ai.
Në përfundim, Berisha garantoi banorët e zonave të përmbytura se Partia Demokratike do të jetë zëri i tyre dhe se dëmshpërblimi do të jetë i plotë. “Kjo është një emergjencë dhe kërkon përgjigje shtetërore. Ne do t’i dëmshpërblejmë qytetarët për çdo qindarkë që kanë humbur”, tha Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






