Transmetuar më 15-01-2026, 14:15

“Shteti i përmbyti shqiptarët në këtë fillim viti”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se e gjithë bota, përfshirë shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë, pret nga PD dhe opozita shqiptare zgjidhjen e situatës që ai e cilësoi si dramatike në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij para deputetëve demokratë, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion, dështim institucional dhe përgjegjësi direkte për përmbytjet e rënda që shënuan fillimin e vitit.

“Sot, të gjithë shqiptarët dhe të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin nga Partia Demokratike zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate dramatike”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar qeverinë si “një klikë të papërgjegjshme” dhe “organizatë kriminale” që, sipas tij, vjedh qytetarët dhe bashkëpunon me kartelet e drogës.

Kreu i PD-së theksoi se përmbytjet që prekën disa zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, e veçanërisht Durrësin dhe qarkun e Durrësit, ishin të paprecedenta dhe me pasoja të rënda për mijëra familje. Ai akuzoi shtetin se jo vetëm nuk ishte në ndihmë të qytetarëve, por ishte shkaktari kryesor i kësaj situate për shkak të, sipas tij, korrupsionit të shfrenuar.

“Në ujërat që përmbytën mijëra banesa, u përmbyt edhe morali i kalbur i kësaj qeverie”, deklaroi Berisha, duke shtuar se qytetarët panë, sipas tij, zyrtarë që vazhdonin ahengjet dhe udhëtimet, ndërsa situata në terren përkeqësohej çdo ditë.

Ai nënvizoi se në çdo shtet serioz ndërtohet infrastrukturë kundër përmbytjeve dhe se emergjencat ndaj fatkeqësive natyrore janë prioritet absolut në ligjin e sigurisë kombëtare, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë të plotë në këtë drejtim.

Në vijim, Berisha iu referua edhe zjarreve të verës së kaluar, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion lidhur me projektin e satelitëve. Sipas tij, ndërsa zjarret shkaktuan dëme të mëdha dhe humbje njerëzore, investimet u përdorën për qëllime korruptive.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur opozita ka intensifikuar kritikat ndaj qeverisë për menaxhimin e emergjencave dhe situatën politike e sociale në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit