

KOSOVË – Kosova ka përkujtuar të enjten viktimat e masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës së viteve 1998–1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, mes tyre edhe një fëmijë 12-vjeçar.
Në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, rreth 30 kilometra nga Prishtina, morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të partive politike, qytetarë të shumtë si dhe personalitete ndërkombëtare. Homazhe u zhvilluan pranë memorialit të viktimave, në shenjë nderimi për të rënët.
Të pranishëm ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, liderë të partive politike dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Homazhe bëri edhe William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, i cili gjatë luftës dokumentoi krimet e kryera në Reçak.
Presidentja Osmani theksoi se edhe pas 27 vitesh, plagët e Reçakut mbeten të hapura.
“Dhimbja është ende e freskët për familjet dhe për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera këtu dhe në pjesë të tjera të vendit”, deklaroi ajo. Osmani kritikoi ashpër Serbinë për mohimin e masakrës, duke e cilësuar këtë qëndrim si “krim të dyfishtë”.
Nga ana e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti u zotua se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e masakrës. “Reçaku mbetet një plagë e hapur që ende nuk ka marrë drejtësinë e merituar, por përkushtimi ynë për ta kërkuar atë nuk do të ndalet”, tha Kurti.
Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut, duke kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e cilësoi Reçakun si një ngjarje që ka kontribuar drejtpërdrejt në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se “Reçaku nuk harrohet dhe drejtësia për të do të kërkohet gjithmonë”.
Masakra e Reçakut ishte një nga ngjarjet që shtyu NATO-n të ndërmerrte ndërhyrjen ushtarake kundër caqeve serbe në mars të vitit 1999. Fushata ajrore 78-ditore përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Si pasojë e luftës në Kosovë, mbi 13.000 civilë u vranë dhe mijëra të tjerë u zhdukën. Ende sot, më shumë se 1.500 persona konsiderohen të pagjetur, shumica prej tyre shqiptarë. (REL)
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






