

TIRANË – Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet duke mashtruar rojën e një vendparkimi në rrugën “Hajdar Hidri”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas denoncimit për vjedhjen e një automjeti tip “Volkswagen Jetta”, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. L., 18 vjeç, banues në Tiranë. Automjeti i vjedhur u gjet dhe u sekuestrua në fshatin Valias.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu, me qëllim vjedhjen e mjetit, ka shkuar në vendparkim dhe ka mashtruar rojën duke i thënë se ishte pronari i automjetit, duke arritur kështu ta marrë atë pa pengesa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






