

Hyrja drejt Greqisë nga pika kufitare e Kakavijës është bllokuar pa afat, duke nisur nga ora 12:30 e ditës së sotme (ora greke), ose 11.30 ora e Shqipërisë, për shkak të një proteste që po zhvillohet në territorin grek.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Kufitare Kakavijë, përmes Qendrës së Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit, autoritetet greke kanë bërë me dije se aksi rrugor Kakavijë–Janinë, konkretisht në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, është mbyllur plotësisht nga fermerët protestues.
Gjatë kësaj periudhe, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë emergjenca shëndetësore, ndërsa të gjitha mjetet e tjera do të mbeten të bllokuara deri në një njoftim të dytë nga pala greke.
Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe këshillon që udhëtimet drejt ose nga Greqia të shtyhen ose planifikohen në orare të tjera, deri në normalizimin e situatës.
Autoritetet do të informojnë në vijim për çdo zhvillim të ri lidhur me rihapjen e aksit rrugor. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






