Transmetuar më 15-01-2026, 09:45

Gjoba që shkojnë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë parashikohen në kuadër të ligjit të ri për luftën kundër përmbajtjeve të dëmshme në internet, duke synuar detyrimin e platformave dhe ofruesve të shërbimeve online për të reaguar ndaj vendimeve gjyqësore.

Me një vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar mekanizmin administrativ që i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kompetenca të drejtpërdrejta ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk zbatojnë masat mbrojtëse të vendosura nga gjykatat në rastet e dhunës digjitale.

Sipas vendimit, AKEP do të vendosë gjoba administrative nga 30 mijë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë, ndaj ofruesve të shërbimeve online që nuk heqin, bllokojnë ose fshijnë përmbajtjet digjitale të cilësuara nga gjykata si të dëmshme. Në këto përmbajtje përfshihen, ndër të tjera, imazhe intime të publikuara pa pëlqimin e viktimës, llogari apo fjalëkalime të përdorura për përndjekje, si edhe profile ose lidhje elektronike të përdorura për ngacmim.

Gjobat e vendosura nga AKEP përbëjnë titull ekzekutiv dhe arkëtohen në buxhetin e shtetit. Subjektet e ndëshkuara përfitojnë një ulje prej 15% të vlerës së gjobës, nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi. Ligji parashikon gjithashtu të drejtën e ankimit brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.

Ligji i ri zgjeron ndjeshëm edhe juridiksionin territorial të autoriteteve shqiptare. Masat mbrojtëse dhe administrative zbatohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, por AKEP dhe autoriteti rregullator i medias audiovizive mund të urdhërojnë heqjen, bllokimin ose kufizimin e përmbajtjes digjitale, pavarësisht vendndodhjes së serverit apo ofruesit të shërbimit.

Në raste të veçanta, gjykata civile mund të urdhërojë ndalimin e kontaktit online dhe offline, si dhe sekuestrimin e mjeteve digjitale të përdorura për ushtrimin e dhunës, për aq kohë sa këto mjete ndodhen brenda territorit të vendit.

Procedurat, formatet e kërkesave dhe mënyra e njoftimit elektronik për zbatimin e këtyre masave do të miratohen me një vendim të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor, autoritetit përgjegjës për drejtësinë dhe AKEP, me synim standardizimin dhe përshpejtimin e ndërhyrjeve në mjedisin digjital.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit