

Ndryshimet klimatike pritet të kenë ndikim të rëndë në bujqësinë dhe ekonominë shqiptare, duke shkaktuar humbje që mund të arrijnë deri në 17 miliardë dollarë deri në vitin 2050, nëse nuk merren masa parandaluese. Ky vlerësim bazohet në skenarët e zhvilluar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD), në kuadër të Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike.
Sipas projeksioneve kombëtare të klimës, Shqipëria do të përballet me rritje të ndjeshme të temperaturave, ulje të reshjeve dhe shtim të ngjarjeve ekstreme klimatike. Temperaturat mesatare vjetore parashikohet të rriten me rreth 2 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale me 2.8 gradë. Reshjet vjetore pritet të ulen me 5.8%, ndërkohë që niveli i detit mund të rritet me rreth 28 centimetra.
Dokumenti i PNUD parashikon gjithashtu shtim të fenomeneve ekstreme, me rreth 16 ditë reshjesh intensive në vit, katër valë të nxehtësisë dhe rreth 16 ditë me temperatura shumë të ulëta.
Këto ndryshime do të ndikojnë drejtpërdrejt sektorin e bujqësisë dhe pyjeve, të cilët përbëjnë shtylla të rëndësishme të ekonomisë kombëtare. Bujqësia dhe blegtoria punësojnë rreth një të tretën e fuqisë punëtore dhe kontribuojnë me rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë, pyjet mbulojnë 39% të territorit të vendit, por që nga viti 1938 janë humbur rreth 334 mijë hektarë për shkak të prerjeve të paligjshme, zjarreve dhe menaxhimit joefikas.
Për të përballuar këto sfida, PNUD vlerëson se vetëm për sektorin bujqësor nevojiten 66 masa konkrete, me një kosto totale prej 9.8 miliardë dollarësh. Këto masa përfshijnë përmirësimin e sistemeve të ujitjes, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore, restaurimin e tokave dhe ekosistemeve, si dhe mbrojtjen e fermerëve përmes skemave të sigurimit dhe fondeve të kompensimit.
Në fokus janë gjithashtu programet e pyllëzimit dhe agropylltarisë, forcimi i kapaciteteve kundër zjarreve dhe nxitja e financimit të qëndrueshëm për sektorin pyjor.
Ekspertët paralajmërojnë se, në mungesë të këtyre ndërhyrjeve, dëmet ekonomike nga ndryshimet klimatike mund të tejkalojnë ndjeshëm koston e masave parandaluese. Ndërhyrjet synojnë rritjen e qëndrueshmërisë së ekosistemeve, mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përafrimin me objektivat globale për përshtatjen ndaj klimës.
Sektori bujqësor në Shqipëri mbetet kryesisht familjar, me 85% të fermave që kanë një sipërfaqe mesatare prej vetëm 1.2 hektarësh, çka kufizon produktivitetin. Sipas analizës, bimët bujqësore, veçanërisht drithërat dhe perimet, janë më të rrezikuara sesa blegtoria, ndërsa tek kjo e fundit, gjedhi dhe kuajt rezultojnë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Pyjet, nga ana tjetër, përballen me rritje të thatësirave, zjarreve dhe përhapjes së dëmtuesve dhe sëmundjeve, duke shtuar vulnerabilitetin e ekosistemeve natyrore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






