Transmetuar më 15-01-2026, 08:09

Presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola, informoi krerët e grupeve parlamentare se Komisioni Evropian, i drejtuar nga Ursula von der Leyen, do të përballet me një tjetër mocion mosbesimi. Debati dhe votimi do të zhvillohen në seancën parlamentare javën e ardhshme nëStrasburg. Ky është mocioni i katërt i mosbesimit kundër von der Leyen dhe ekipit të saj breda një gjysmë viti.

Mocioni i katërt i mosbesimit

Mocioni u paraqit nga grupi i djathtë "Patriotët për Evropën", i cili kritikon von der Leyen dhe ekipin e saj kryesisht për marrëveshjen tregtare Mercosur me vendet e Amerikës së Jugut, Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. Grupi "Patriotët për Evropën" përfshin, ndër të tjerë, anëtarë të partisë Franceze të Marine Le Pen, Rassemblement National, si dhe anëtarë të partisë së kryeministrit hungarezViktor Orbán.

Që një mocion mosbesimi të debatohet dhe të hidhet në votim në Parlamentin e BE-së, ai duhet të mbështetet nga të paktën një e dhjeta e 719 anëtarëve aktualë të parlamentit.

Të djathtët kritikojnë shpërfilljen e parlamenteve të vendeve anëtare

Grupi parlamentar "Patriotët për Evropën" kritikoi në deklaratën lidhur me mocionin e mosbesimit "shpërfilljen flagrante të Parlamentit Evropian, të parlamenteve kombëtare dhe të miliona fermerëve evropianë" në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes Mercosur. Marrëveshja përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë dhe sovranitetit ushqimor evropian dhe hap tregjet për produkte që nuk përmbushin standardet evropiane, thuhet në deklaratë.

Por mocioni i mosbesimit nuk do të arrijë ta pengojë nënshkrimin e marrëveshjes. Nënshkrimi i saj është planifikuar të zhvillohet këtë të shtunë në Paraguai, ku do të shkojnë edhe Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së António Costa.

Mocionet e mëparshme të mosbesimit pa sukses

Mocioni i mëparshëm i mosbesimiti grupit parlamentar "Patriotët për Evropën" kundër von der Leyen dhe komisionit të drejtuar prej saj dështoi në votimin e tetorit 2025 me 378 eurodeputetë që votuan kundër tij kundrejt 179 që votuan pro. Për miratimin e mocionit të mosbesimit është e nevojshme një shumicë prej dy të tretash e votave. Megjithatë, për herë të parë, në atë votim kundër von der Leyen dhe komisionit të saj votuan edhe eurodeputetë nga grupi PPE i partive demo-kristiane, së cilës i përket edhe von der Leyen si politikane e CDU-së.

Po në tetor 2025 Komisioni i mbijetoi gjithashtu një mocion mosbesimi nga grupi i partive të majta, që kishte si zanafillë ndër të tjera marrëveshjen doganore të BE-së me SHBA-në dhe qëndrimin ndaj katastrofës humanitare në Rripin e Gazës. Edhe një mocion i mëparshëm mosbesimi në korrik 2025 dështoi gjithashtu.

Mocionet e mosbesimit mund të kërkohen vetëm kundër të gjithë Komisionit. Nëse mocioni ka sukses atëhere i gjithë Komisioni duhet të japë dorëheqjen./DW

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit