

Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare përtej kufirit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, po ndikohen nga kushte atmosferike të qëndrueshme.
Noa.al, duke cituar Shërbimin Meteorologjik Ushtarak dhe MeteoAlb, bën me dije se dita e sotme do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash kalimtare, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje, duke arritur deri në 14–16 gradë Celsius në disa zona.
Shqipëria
Sipas MeteoAlb, territori shqiptar do të mbetet nën dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të pakta. Kthjellimet do të jenë më të theksuara gjatë orëve të paradites, ndërsa pasditja do të sjellë shtim të vranësirave në pjesën më të madhe të territorit, veçanërisht në zonat e thella malore.
Vijon të mbetet problematike prania e ngricave në akset rrugore, kryesisht në zonat verilindore. Kjo situatë meteorologjike pritet të mbetet e qëndrueshme edhe gjatë natës.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale, duke u luhatur nga -3°C temperatura më e ulët e shënuar në zonën e Peshkopisë, deri në 16°C vlera maksimale, e cila pritet të regjistrohet në qarkun e Elbasanit.
Era do të fryjë mesatare, duke arritur shpejtësi mbi 40 km/h, kryesisht nga drejtimi juglindor. Në zonat detare parashikohet dallgëzim i ulët deri mesatar, i forcës 2 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës do të vijojë të ndikohet nga mot i kthjellët dhe vranësira të pakta gjatë orëve të para të ditës. Vranësirat do të jenë më të dukshme në zonat veriore dhe veriperëndimore, ndërsa pasditja do të sjellë shtim të lehtë të tyre, pa rrezik për reshje.
Edhe gjatë natës priten kushte të qëndrueshme atmosferike. Temperaturat do të shënojnë rritje, duke u luhatur nga -4°C temperatura minimale e regjistruar në Podujevë, deri në 8°C temperatura maksimale në rang territori.
Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites dhe mesatare gjatë pasdites, me shpejtësi mbi 40 km/h, nga drejtimi juglindor.
Maqedonia e Veriut
Edhe Maqedonia e Veriut do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme. Paraditja do të dominohet nga kthjellime të shpeshta dhe vranësira të pakta, më të theksuara në zonat perëndimore dhe jugperëndimore.
Gjatë orëve të mbrëmjes pritet shtim i vranësirave në të gjithë territorin, por pa reshje. Temperaturat do të vijojnë të rriten, duke u luhatur nga -3°C temperatura minimale e shënuar në Kumanovë, deri në 10°C vlera maksimale në rang vendi.
Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites dhe deri mesatare pasdite, duke arritur shpejtësi mbi 38 km/h, kryesisht nga drejtimi juglindor.
Evropa
Britania e Madhe dhe pjesë të Europës Qendrore do të përfshihen nga një qendër e fuqishme ciklonare e zhvilluar në Atlantikun e Veriut, e cila do të sjellë reshje të konsiderueshme shiu e dëbore, si dhe mini-stuhi ere.
Mot i paqëndrueshëm do të mbizotërojë edhe në Gadishullin Iberik, ku vranësirat e shpeshta do të gjenerojnë rrebeshe afatshkurtra shiu.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e Europës Jugore dhe Juglindore do të dominohet nga masa ajrore të qëndrueshme, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët dhe relativisht të ngrohtë. Këto kushte do të jenë të pranishme në Gadishullin Apenin, Ballkan, brigjet e Egjeut dhe brigjet e Detit të Zi. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






