

Trump pretendon se vrasja e protestuesve në Iran ‘ka ndaluar’ ndërsa Teherani sinjalizon ekzekutime në të ardhmen
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani “nuk ka asnjë plan për ekzekutime”, duke iu përgjigjur shqetësimeve ndërkombëtare lidhur me fatin e protestuesve të arrestuar gjatë valës së demonstratave antiqeveritare në vend.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se ishte informuar nga burime të besueshme se autoritetet iraniane kanë ndalur vrasjet dhe ekzekutimet.
“Na është thënë se vrasjet në Iran janë ndalur dhe se nuk ka asnjë plan për ekzekutime. Vrasjet kanë ndaluar. Ekzekutimet kanë ndaluar”, u shpreh ai.
Deklarimi i Presidentit Trump, vjen ndërsa Teherani ka sinjalizuar për gjyqe dhe ekzekutime të shpejta në kuadër të shtypjes së protestuesve.
Pretendimet e presidentit amerikan, të cilat u bënë me pak detaje, vijnë ndërsa ai u tha protestuesve iranianëve ditët e fundit se "ndihma është duke ardhur" dhe se administrata e tij do të "veprojë në përputhje me rrethanat" për t’iu përgjigjur qeverisë iraniane. Por Trump nuk ka ofruar asnjë detaj se si mund të reagojnë SHBA-të dhe nuk është ende e qartë nëse komentet e tij të mërkurën e sotme tregojmë se ai do të përmbahet nga veprimet e mundshme siç bëri pak ditë më parë në Venezuelë.
Deklarata vjen pas shqetësimeve për Erfan Soltanin, një protestues iranian 26-vjeçar, i cili u arrestua një javë më parë. Familjarët e tij, si dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së, kishin paralajmëruar për rrezikun që ai të përballej me ekzekutim.
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), që nga nisja e shtypjes së protestave antiqeveritare në Iran janë vrarë mbi 2,400 protestues.
Trump theksoi se do të reagonte fort nëse situata do të ndryshonte.
“Nuk ka plan për ekzekutime apo për një ekzekutim. Kjo më është thënë nga një autoritet i besueshëm. Nëse ndodh diçka e tillë, do të jem shumë i mërzitur”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai shtoi se administrata e tij po shqyrton një sërë masash ndaj Iranit për shkak të dhunës ndaj protestuesve, përfshirë edhe opsione më të ashpra, ndërsa ritheksoi mbështetjen për qytetarët iranianë që po protestojnë.
“Ne i mbështesim protestuesit dhe ndihma është duke ardhur”, përfundoi Trump.
Më herët të mërkurën, kreu i gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni-Ejei, deklaroi se qeveria duhet të veprojë shpejt për të ndëshkuar mbi 18 mijë persona që janë ndaluar, përmes gjykimeve të përshpejtuara dhe ekzekutimeve. Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, me seli në SHBA, goditja e forcave të sigurisë ndaj demonstratave ka shkaktuar të paktën 2.586 viktima.
Numri i të vrarëve e tejkalon atë të çdo vale tjetër protestash apo trazirash në Iran në dekadat e fundit dhe sjell ndër mend kaosin që shoqëroi Revolucionin Islamik të vitit 1979.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






