

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thirri sot në takim drejtorët e burgjeve. Ai njoftoi se do të bëhet transferim i personave me rrezikshmëri, ndërsa SHKB të shtojë kontrollet.
Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mblodhi sot pasdite në një takim drejtuesit e burgjeve në vend, të cilëve iu kërkoi masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.
Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, Lamallari tha se ka kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.
"Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsiduruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë."
Ministri njoftoi gjithashtu se ka urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë.
"Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde.
Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cënon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë.
Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre", deklaroi Lamallari.
Zhvillimet vijnë pasi një ditë më parë, Altin Ndoci, një person nën akuzë nga SPAK për vrasje me pagesë, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u arratis nga reparti infektiv i spitalit të Durrësit ku ishte dërguar nga burgu për kontroll mjekësor.
Pamjet nxorën se Ndoci lëvizte pa pranga, pa uniformë burgu dhe arriti të arratiset lehtësisht megjithëse ndjekjen nga një efektiv i policisë së burgjeve.
Altin Ndoci akuzohet si vrasës me pagesë në një dosje të SPAK si pjesëtar i organizatës kriminale të vëllezërve Çopja dhe akuzohet për disa vrasje, sipas mediave, bazuar kryesisht në dëshmitë e të penduarve të drejtësisë.
/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






