

PRISHTINË – Gjykata e Apelit ka vendosur të ulë dënimin ndaj personit që kishte shitur armën e përdorur në vrasjen e Liridona Ademajt, duke ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë.
Në arsyetimin e saj, Apeli vlerëson se i pandehuri nuk ka precedentë penalë dhe se kjo është hera e parë që ai ka rënë në konflikt me ligjin. Sipas trupit gjykues, këto rrethana përbëjnë elemente lehtësuese që justifikojnë një masë ndëshkimore më të ulët.
“Gjykata gjeti se është hera e parë që i akuzuari bie ndesh me ligjin. Prandaj, rrethanat e tilla, në unitetin e tyre, tregojnë se edhe me një dënim më të ulët mund të arrihet qëllimi ndëshkimor i paraparë me nenin 38 të Kodit të Procedurës Penale,” thuhet në vendimin e Apelit.
Megjithatë, Gjykata thekson se përgjegjësia penale e të pandehurit mbetet e qartë, pasi ai ka shitur armën në mënyrë të kundërligjshme, armë e cila më pas u përdor në një vepër të rëndë penale.
Vendimi i Apelit është përfundimtar, ndërsa çështja e vrasjes së Liridona Ademajt vijon të mbetet një nga rastet më të ndjeshme që ka tronditur opinionin publik.
Vrasja e 30 vjeçares Liridona Ademaj ndodhi mbrëmjen e 29 Nëntorit 2023 në Prishtinë. Hetimi sugjeroi se pas krimit qëndronte bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ky i fundit u arrestua së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokalla, si të dyshuar në organizimin e vrasjes së Liridonës.
Por cila ishte arsyeja që dyshohet se nxiti atë drejt kësaj vepre kriminale?
Sipas raportimeve mediatike, Naim Murseli kishte paguar para disa kohësh sigurimin jetësor të saj në një kompani suedeze dhe thuhej se sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro. Por, gazetari suedez Henrik Lundbjörk, ka thënë për KosovaPress, se shuma më e lartë e vlerës së sigurimit është 500 mijë euro.
Kosovapress publikoi një dokument që sipas saj vërteton disa raportime se çifti kishin kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc në një gjykatë suedeze. Megjithatë divorci nuk ka ndodhur pasi asnjëra palë nuk ishte paraqitur brenda gjashtë muajve deri në një vit, që cilësohet si periudhë e shqyrtimit të kërkesës.
Për këtë, Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të ndërprerë çështjen nga procedimi i mëtejshëm.
“Më 31 janar 2019, Liridona Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci. Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit.
Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit. Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në dokument.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






