Transmetuar më 14-01-2026, 15:15

Pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të tij, procedurat e ndjekura për shoqërimin në spital dhe masat administrative e ligjore të marra pas ngjarjes.

Sipas njoftimit zyrtar, Altin Ndoci ishte i akomoduar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës që prej datës 20 maj 2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Ai dyshohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Më 13 janar 2026, Ndoci ka kryer një konsultë mjekësore me mjekun e burgut, i cili ka rekomanduar konsultë të specializuar me mjek kirurg. Pas përgatitjes së dokumentacionit përkatës nga strukturat e IEVP Durrës, është planifikuar shoqërimi i tij për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, me itinerar vajtje-ardhje brenda së njëjtës ditë.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, i paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv, ku pas vizitës nga mjeku kardiolog, është rekomanduar trajtim mjekësor dhe rikontroll pas dy orësh. Gjatë kohës që po merrte trajtim, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Në këtë moment, ai ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Burgjeve që e shoqëronin, duke arritur të largohet nga ambientet e spitalit.

Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës nuk ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës për planifikimin dhe realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Po ashtu, nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve.

Në bazë të këtyre gjetjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, përfshirë drejtues të institucionit, punonjës të Policisë së Burgjeve dhe staf shëndetësor.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, është vendosur ndalimi i tetë punonjësve të përfshirë, mes tyre edhe kryeinfermieri i institucionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se vijon marrjen e të gjitha masave ligjore dhe administrative të nevojshme, si dhe forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit