Transmetuar më 14-01-2026, 14:22

TIRANË – Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, Indrit Cerloj, pas arratisjes së paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit.

Në vijim të hetimeve, katër zyrtarë të Burgut të Durrësit janë arrestuar. Mes tyre janë zv/shefi i Policisë së Burgjeve, Dezdemon Pazaj, një punonjës i Policisë së Burgjeve, si dhe kryeinfermieri Aulon Quku. Ata dyshohet se kanë kryer shkelje të rënda të detyrës gjatë shoqërimit të Altin Ndocit për vizitë mjekësore, duke mos njoftuar drejtuesit e institucionit dhe as Policinë e Shtetit për itinerarin e lëvizjes.

Sipas hetimeve paraprake, më 13 janar 2026, Altin Ndoci ka kryer një konsultë mjekësore brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, ku mjeku ka rekomanduar një vizitë kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës. I paraburgosuri është shoqëruar sipas itinerarit të përcaktuar: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP.

Gjatë trajtimit mjekësor në pavionin infektiv të spitalit, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Gjatë shoqërimit, ai ka kundërshtuar punonjësit e Policisë së Burgjeve, i ka goditur dhe ka arritur të largohet, duke realizuar arratisjen.

Pas ngjarjes, drejtori i institucionit dhe i gjithë zinxhiri drejtues i paraburgimit janë pezulluar nga detyra. Prokuroria po heton nëse Altin Ndoci ka pasur bashkëpunëtorë brenda institucionit për të realizuar arratisjen, si dhe rrethanat që çuan në vendosjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore në një institucion paraburgimi me nivel të ulët sigurie.

Altin Ndoci ishte transferuar në Burgun e Durrësit në vitin 2020 dhe ndodhej në proces gjyqësor në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet si vrasës me pagesë në një dosje të SPAK.

Gjatë hetimeve pritet të merren në pyetje edhe ish-drejtues të institucioneve të burgjeve, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive institucionale në këtë ngjarje të rëndë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit