

Tiranë/ Goditet trafiku i automjeteve dhe emigrantëve, dy operacione brenda 24 orëve: 3 të proceduar, 1 i arrestuar
Policia e Tiranës ka finalizuar brenda 24 orëve faza të reja të operacioneve të koduara “Stolen Line” dhe “Relay”, duke goditur trafikimin e automjeteve të vjedhura dhe transportimin e paligjshëm të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve ka proceduar penalisht dy shtetas, të dyshuar për trafikimin në Shqipëri të automjeteve luksoze me vlerë rreth 90 mijë euro, të vjedhura në Zvicër dhe Itali.
Në kuadër të operacionit “Stolen Line”, u proceduan:
M. S., 36 vjeç, i dyshuar për trafikimin e një automjeti tip “Benz”, me vlerë rreth 80 000 euro, i vjedhur në Zvicër;
E. M., 29 vjeç, i dyshuar për trafikimin e një automjeti tip “Opel”, me vlerë rreth 10 000 euro, i vjedhur në Itali.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit “Relay”, u arrestua në flagrancë shtetasi O. T., 36 vjeç, banues në Krujë, i cili u kap duke transportuar kundrejt pagesës 3 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të BE-së.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy automjetet e trafikuara, si dhe automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






