

Tiranë – Kontratat e partneritetit publik-privat (PPP) do të trajtohen nga një ligj i ri, ku hiqet koncepti i dhënies së pasurive publike me vlerë simbolike 1 euro. Ligji i ri për “koncesionet dhe partneritetin publik-privat” është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 28 janar 2026.
Sipas ligjit, çdo kontratë koncesioni duhet të mbështetet në analiza të fizibilitetit teknik dhe financiar, miratuar nga Ministria e Financave, dhe të vlerësohen të gjitha kostot, përfitimet dhe rreziqet për buxhetin e shtetit.
Bashkitë nuk mund të lidhin kontrata afatgjata pa kapacitete financiare, ndërsa çdo institucion do të krijojë njësi të posaçme për monitorimin e kontratave në kohë reale. Regjistri Elektronik i Koncesioneve do të funksionalizohet plotësisht dhe do të publikojë dokumentet e procedurave.
Ligji përcakton gjithashtu garanci nga ofertuesi fitues, deri në 5% të vlerës së kontratës, si dhe instrumente sigurie për dështimin e koncesionarëve ose partnerëve privatë. Kjo masë mund të reduktohet gjatë zbatimit, por nuk mund të jetë kurrë më pak se 25% e sigurimit fillestar.
Tarifat e koncesionit duhet të specifikohen qartë në dokumentet e tenderit dhe kontratë, me përjashtim të projekteve në fushën e shëndetësisë dhe sportit. Afati i kontratave varet nga punimet ose shërbimet e kërkuara, ndërsa ndryshimet e kontratës lejohet jo më herët se dy vjet pas fillimit të ekzekutimit.
Nënkontraktimi nuk mund të kalojë 50% të vlerës së përgjithshme të kontratës, dhe operatori ekonomik kryesor mbetet përgjegjës për zbatimin, ndërsa transferimi i kontratës te një subjekt tjetër është i mundur vetëm pas miratimit nga ministria përgjegjëse.
Ligji parashikon gjithashtu ndërprerjen e kontratës kur koncesionari/partneri privat nuk mund të përmbushë detyrimet për arsye pagese, shkelje serioze apo pengesa të tjera që bllokojnë zbatimin.
Risitë kryesore të ligjit të ri të koncesioneve:
Analizë fizibiliteti teknik dhe financiar para miratimit të projektit;
Miratim ex-ante nga Ministria e Financave për çdo projekt me ndikim financiar;
Bashkitë nuk mund të firmosin kontrata afatgjata pa kapacitete financiare;
Njësi të posaçme për monitorimin e kontratave në kohë reale;
Funksionalizimi i plotë i Regjistrit Elektronik të Koncesioneve;
Garanci deri në 5% të vlerës së kontratës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






