Transmetuar më 14-01-2026, 11:19

Policia e Shtetit vijon operacionin për lokalizimin dhe kapjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u arratis një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ndodhej për vizitë mjekësore.

Burime zyrtare bëjnë me dije se kontrolle intensive po zhvillohen në disa qytete të vendit, konkretisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, zona që dyshohet se mund të jenë përdorur nga i arratisuri për t’u fshehur ose për t’u larguar.

Në lidhje me këtë ngjarje, autoritetet kanë arrestuar tetë persona, mes tyre punonjës të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës dhe kryeinfermieri i spitalit, të dyshuar për shkelje të procedurave dhe mosrespektim të protokolleve të sigurisë.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, rreth orës 13:00 të së martës, Altin Ndoci është shoqëruar nga dy efektivë policie në pavijonin e infektivit, së bashku me një të dënuar tjetër. Gjatë pritjes për vizitën mjekësore, ai ka kërkuar të shkojë në tualet, moment në të cilin ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që e ruante dhe është larguar me vrap.

Dyshohet se jashtë ambienteve të spitalit e priste një automjet tip “Audi” i bardhë, me të cilin është larguar nga vendngjarja. Një nga efektivët që tentoi ta ndalonte ka qëlluar me armën e shërbimit në tokë, ku si pasojë e rikoshetës, predha ka përfunduar në shkallët e pavijonit të infektivit. Gëzhoja e armës nuk është gjetur ende.

Policia thotë se hetimet dhe kërkimet vijojnë në bashkëpunim me disa struktura ligjzbatuese, ndërsa apelon për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion të vlefshëm për vendndodhjen e të arratisurit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit