

Një incident i pazakontë ka ndërprerë për 24 orë gjyqin ndaj Franc Çopjas, i njohur edhe si Franc Gergely, i cili po zhvillohej në ndërtesën gjyqësore Justitia në Evere, Belgjikë.
Sipas mediave belge, një nga anëtarët e jurisë vuri re praninë e një pleshti mbi krahun e të pandehurit, çka çoi fillimisht në një pushim të seancës. Pas rikthimit nga pauza e drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi shtyrjen e procesit për një ditë, me qëllim marrjen e masave të nevojshme higjieno-sanitare.
“Nuk dua të vë askënd në rrezik, as anëtarët e jurisë, as avokatët, as të pandehurit,” deklaroi kryetarja e trupit gjykues, Isabelle de Saedeleer, duke theksuar se situata ishte e papranueshme. Ajo u rekomandoi të gjithë të përfshirëve që të lajnë rrobat në 60 gradë Celsius ose, alternativisht, t’i vendosin në frigorifer për dezinfektim.
Mediat lokale e lidhin këtë incident me vështirësitë më të gjera me të cilat po përballet sistemi i drejtësisë në Belgjikë, i karakterizuar nga mbingarkesa e gjykatave dhe mbipopullimi i burgjeve, në një kohë kur vendi po përballet me sfida të shtuara në luftën kundër trafikut të drogës.
Gjyqi ndaj Franc Gergely (Çopja) dhe tetë të pandehurve të tjerë nisi më 5 janar. Ata akuzohen për përfshirje në vrasjen e Ardit Spahiut, të ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek. Hetimet lidhen gjithashtu me dy klane kriminale të dyshuara për trafikim të gjerë të kokainës, të cilat u identifikuan pas depërtimit të autoriteteve në shërbimin e mesazheve të koduara Sky ECC.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






