

Tetë persona janë arrestuar pas arratisjes së Altin Ndocit, e ndodhur një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit, gjatë një vizite mjekësore.
Mes të arrestuarve ndodhen kryeinfermieri i spitalit dhe zëvendësshefi i komanduar i Policisë, si dhe pesë efektivë të policisë së burgjeve që ishin përgjegjës për shoqërimin e të dënuarit. Në pranga ka rënë gjithashtu edhe një shtetase tjetër, e përfshirë në hetim.
Personat e arrestuar janë:
Aulon Çuko, kryeinfermieri
Desdemon Pazaj, zëvendësshef i policisë
Efektivët e shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela
Violeta Uka
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 13:00 të së martës, Altin Ndoci është shoqëruar nga dy efektivë policie në pavijonin e infektivit, së bashku me një të dënuar tjetër. Gjatë pritjes për vizitën mjekësore, ai ka kërkuar të shkojë në tualet, moment në të cilin ka goditur në befasi efektivin që e ruante dhe është larguar me vrap.
Ndoci është larguar me një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se e priste jashtë ambienteve të spitalit. Një nga efektivët që tentoi ta ndalonte ka qëlluar me armën e shërbimit në tokë, ku si pasojë e rikoshetës, predha ka përfunduar në shkallët e pavijonit të infektivit. Gëzhoja ende nuk është gjetur.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit të personave të paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave mjekësore, veçanërisht sa i përket numrit të efektivëve të policisë së burgjeve dhe masave të sigurisë.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë ndihmuar në arratisje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






