Transmetuar më 14-01-2026, 09:29

Myzeqeja është përfshirë për herë të tretë nga përmbytjet që prej nëntorit 2025, duke shkaktuar dëme të rënda në bujqësi dhe blegtori. Sipas ekspertëve, sipërfaqja e përmbytur ka arritur deri në rreth 40 mijë hektarë dhe vijon të zgjerohet, ndërsa pasojat po konsiderohen kolosale si për ekonominë lokale, ashtu edhe për atë kombëtare.

Edhe pa u vlerësuar ende dëmet e përmbytjeve të nëntorit, serat dhe tokat bujqësore janë shkatërruar sërish. Fermerë të shumtë raportojnë humbje të mëdha në prodhimin gati për treg, si pasojë e përmbytjes së serrave dhe parcelave.

Mirlind Saraçi, fermer nga fshati Kosovë e Vogël në Lushnje, deklaron se ka pësuar rreth 150 mijë euro dëme nga përmbytja e tre hektarëve serë. Sipas tij, situata këtë herë është përkeqësuar ndjeshëm pas hapjes së portave të HEC-it të Banjës, në një kohë kur kanalet kulluese dhe kolektorët kryesorë janë të bllokuar.

“Në zonën tonë prej 13 vitesh nuk është ndërhyrë për pastrimin e kanaleve, ndërkohë që janë investuar qindra milionë euro në serra,” thotë Saraçi. Ai shton se hapja e portave të hidrocentralit ka sjellë përmbytjen edhe të sipërfaqeve që nuk ishin prekur më parë nga reshjet.

Ekspertët dhe fermerët theksojnë se ndërtimet pa leje mbi kanale dhe kolektorë janë toleruar ndër vite, duke penguar rrjedhën natyrore të ujit dhe duke rritur ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet. Situata, sipas tyre, është përkeqësuar edhe nga menaxhimi i rezervuarëve dhe digave, të cilët janë mbushur dhe më pas janë shkarkuar pa paralajmërim.

Përveç bujqësisë, dëme të konsiderueshme raportohen edhe në blegtori. Në zonën e Dimalit, në Berat, janë shkatërruar rezervat ushqimore për bagëtitë, ndërsa mijëra shpendë kanë ngordhur. Zonat e prekura ndodhen aktualisht në emergjencë për sigurimin e ushqimit për kafshët.

Sipas të dhënave të INSTAT, zonat e përmbytura përbëjnë rreth 65% të prodhimit të perimeve në vend dhe realizojnë gati 80% të eksporteve të produkteve të freskëta. Për pasojë, përmbytjet pritet të ndikojnë jo vetëm në të ardhurat e fermerëve, por edhe në rritjen e çmimeve me pakicë dhe në rënien e eksporteve bujqësore.

Vitin e kaluar, eksportet e ushqimeve dhe pijeve ishin i vetmi grup që ruajti ritme pozitive rritjeje, në një kohë kur sektorë të tjerë shfaqën rënie dhe luhatje të forta. Zhvillimet e fundit në Myzeqe rrezikojnë të përmbysin edhe këtë tendencë pozitive.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit