

ROMË – Roma u eliminua në mënyrë dramatike nga Kupa e Italisë, pasi u mposht 3-2 nga Torino në stadiumin “Olimpico”, në një ndeshje spektakolare që u vendos në minutat e fundit. Skuadra piemonteze siguroi kështu një vend në çerekfinale, ku do të përballet me Interin.
Takimi nisi me raste për vendasit, ku Pisilli dhe El Shaarawy provuan portën kundërshtare, por portieri Paleari u tregua i vëmendshëm. Torino arriti të marrë avantazhin në minutën e 35-të, kur Vlasic shërbeu për Che Adams, i cili realizoi me një goditje të saktë nga jashtë zone, duke mposhtur Svilarin.
Në fillim të pjesës së dytë, trajneri i Romës ndërhyri me ndryshime, duke aktivizuar Ndicka dhe Hermoso. Ky i fundit u bë menjëherë protagonist, duke barazuar rezultatin në minutën e 46-të me një gol të bukur pas një aksioni të ndërtuar mirë.
Megjithatë, gëzimi i verdhekuqve zgjati pak. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Che Adams realizoi golin e dytë personal, pas një aksioni të shpejtë nga e djathta dhe asistit të Vlasic, duke e rikthyer Torinon në epërsi.
Roma nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë në minutën e 81-të me anë të talentit 15-vjeçar Antonio Arena. I lindur në vitin 2009, Arena shënoi me prekjen e tij të parë, duke realizuar me kokë pas një krosimi nga Wesley.
Kur gjithçka po shkonte drejt goditjeve të penalltive, Torino goditi në minutën e 90-të. Pas një goditjeje nga këndi, Svilar nuk arriti të kontrollojë topin, ndërsa Ilkhan përfitoi për të shënuar golin vendimtar nga afërsia.
Me këtë fitore, Torino siguron kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, ndërsa Roma eliminohet në shtëpi pas një ndeshjeje dramatike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






