

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak që citon noa.al, ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet kryesisht me kthjellime dhe vranësira kalimtare në pjesën më të madhe të territorit.
Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 14°C.
Në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes pritet prezencë e mjegullës dhe mjegullinës, kryesisht në zonat luginore, çka mund të ndikojë në shikueshmëri.
Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në zonat detare, valëzimi do të jetë i ulët, i forcës 1–2 ballë.
Shqipëria
Sipas MeteoAlb që citon noa.al, rritja graduale e vlerave barike do të sjellë një ngrohje të motit në territorin shqiptar.
Gjatë orëve të pasdites, moti do të jetë me diell në zonat bregdetare dhe në ultësirën perëndimore, ndërsa në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore priten alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta.
Në pjesën e dytë të ditës, vranësirat do të shtohen në të gjithë territorin, por mundësia për reshje mbetet thuajse zero.
Temperaturat e ajrit do të vijojnë të rriten si në orët e mëngjesit, ashtu edhe në mesditë, duke u luhatur nga -5°C në qarkun e Korçës deri në 15°C në shumë qytete të Ultësirës Perëndimore.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, me shpejtësi mbi 30 km/h nga drejtimi veriperëndimor, duke sjellë forcim të erës në brigjet detare.
Kosova
Gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mesditës, në të gjithë territorin e Kosovës do të mbizotërojnë kushte të qëndrueshme atmosferike.
Parashikohen kthjellime dhe vranësira të shpeshta, më të theksuara në zonat veriore dhe verilindore.
Në orët e pasdites dhe në vijim do të ketë intervale kthjellimesh në të gjithë territorin, por mbeten problematike ngricat në shumë akse rrugore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat minimale, ashtu edhe në ato maksimale, duke u luhatur nga -5°C deri në 7°C.
Era do të fryjë mesatare, me shpejtësi mbi 30 km/h, kryesisht nga drejtimi juglindor.
Maqedonia e Veriut
Për ditën e sotme në Maqedoninë e Veriut pritet rritje graduale e vlerave barike, duke sjellë devijimin e masave ajrore siberiane nga territori i vendit.
Moti do të jetë i kthjellët gjatë gjithë paradites, me kthjellime më të theksuara në zonat perëndimore.
Në pjesën e dytë të ditës priten alternime kthjellimesh dhe vranësirash në pjesën më të madhe të territorit, por pa reshje.
Ngricat do të vijojnë të jenë të pranishme në akset rrugore. Temperaturat e ajrit do të rriten, duke u luhatur nga -5°C deri në 10°C.
Era do të fryjë mesatare, me shpejtësi mbi 30 km/h, kryesisht nga drejtimi juglindor.
Evropa
Pjesa më e madhe e kontinentit evropian do të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ku vranësirat dhe reshjet e shiut e dëborës do të jenë dominante.
Reshje të dendura dëbore priten në rajonin e Balltikut dhe në vendet nordike. Po ashtu, Europa Lindore dhe gadishulli Apenin do të përfshihen nga reshje të dendura shiu dhe dëbore.
Ndërkohë, gadishulli Iberik, gadishulli Ballkanik dhe vendet e Europës Perëndimore do të dominohen nga mot i kthjellët dhe i ftohtë, si pasojë e masave ajrore me origjinë siberiane, duke sjellë temperatura shumë të ulëta, veçanërisht në rajonin e Ballkanit. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






