

Autoritetet indiane kanë nisur një operacion të madh në pyjet e shtetit Jharkhand, në lindje të India, për të lokalizuar një elefant të egër që, sipas burimeve zyrtare dhe dëshmive të banorëve, ka shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 20 personave dhe ka plagosur edhe 15 të tjerë që nga fillimi i këtij viti.
Gjurmët e elefantit, i cili po endet në zonë, janë humbur që prej së premtes, pavarësisht patrullimeve të shumta. Ekipet e kërkimit, të mbështetura edhe nga dronë, po kontrollojnë imtësisht zona të gjera pyjore në Jharkhand, përfshirë edhe një park kombëtar në shtetin fqinj Odisha.
“Po përpiqemi ta gjejmë dhe ta izolojmë këtë elefant të egër dhe agresiv, i cili ka shkaktuar shumë humbje jete,” deklaroi për Agence France-Presse drejtori i shërbimit pyjor lokal, Aditya Narayan, duke konfirmuar bilancin e rëndë me viktima, mes të cilëve edhe fëmijë dhe të moshuar.
Sipas banorëve, frika në fshatra është e madhe. Shumë familje kanë braktisur fermat e tyre dhe mbyllen në shtëpi sapo bie nata, nga frika e një përballjeje të mundshme me elefantin. Një kryetar komuniteti lokal tregoi se pas errësimit, jeta në zonë praktikisht paralizohet.
Ekspertët mendojnë se sjellja agresive e elefantit mund të lidhet me nivele të larta të testosteronit, një gjendje e njohur tek meshkujt e kësaj specieje. Ata shtojnë se është e mundur që, nëse kafsha ka arritur të çiftëzohet, të jetë kthyer tashmë te tufa e saj dhe të ketë shfaqur shenja qetësimi.
Një tjetër faktor kyç është shkatërrimi i habitateve natyrore. Shpyllëzimi dhe zgjerimi i zonave të banuara kanë tkurrur ndjeshëm hapësirat ku jetojnë elefantët, duke i detyruar ata të largohen nga mjedisi i tyre natyror dhe të afrohen gjithnjë e më shumë pranë vendbanimeve njerëzore, çka rrit rrezikun e incidenteve.
Sipas të dhënave parlamentare, në të gjithë Indinë, 629 persona humbën jetën si pasojë e sulmeve nga elefantët gjatë viteve 2023–2024. Ndërkohë, vlerësohet se vitin e kaluar në vend jetonin rreth 22.446 elefantë të egër, një shifër rreth 25% më e ulët krahasuar me vitin 2017, kur numri i tyre arrinte në 29.664. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






