

Parku fotovoltaik i Karavastasë, impianti më i madh i energjisë diellore në Shqipëri, është stakuar për shkak të përmbytjeve masive që kanë përfshirë zonën. Pamjet e siguruara nga Kapitali tregojnë se uji ka mbuluar pjesë të mëdha të parkut diellor, i menaxhuar nga kompania franceze Voltalia.
Stakimi i parkut ndodhi dje, pasi niveli i ujit arriti pranë paneleve diellore. Edhe pse panelët janë të vendosur 1.5 metra mbi tokë, uji ka arritur deri në 1.2 metra, duke ndikuar në operimin normal të impiantit.
Aktualisht inxhinierët e Voltalia-s po kryejnë vlerësimin e dëmeve, ndërkohë që pritet që impianti të rikthehet në funksion brenda një jave.
Parku fotovoltaik i Karavastasë ka një fuqi të instaluar prej 140 MW dhe ka kushtuar rreth 140 milionë euro. Ndërtimi i tij filloi në vitin 2020, pas një ankandi të qeverisë shqiptare, ku Voltalia u shpall fituese duke ofruar një çmim të shitjes së energjisë për shtetin prej 24.89 euro për megavat.
Sipas marrëveshjes, shteti blen automatikisht gjysmën e energjisë së prodhuar nga impianti me këtë çmim, ndërsa Voltalia ka të drejtë që gjysmën tjetër ta shesë në treg të lirë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






