Transmetuar më 13-01-2026, 20:24

Shqipëria është vendi i parë në rajon, i pesti në Europë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës.

Në pikat e karburanteve një litër naftë kushton mesatarisht 170 lekë, me kursin aktual të këmbimit 2.09 dollarë.

Në Ballkanin Perëndimor, në vendin e dytë renditet Serbia me një litër naftë që shitet për rreth 1.92 dollarë në pikat e karburanteve. Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, lënda djegëse në Shqipëri kushton gati 2-fish më shumë.

“Krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi ka shumë diferencë. Jemi shumë më të shtrenjtë”, janë shprehur disa drejtues automjetesh.

Në Evropë, çmim më të shtrenjtë të naftës e ka Zvicra, Lihtenshtejni, Danimarka dhe Islanda. Shqipëria, e renditur e pesta ndërkohë le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.56 dollarë.

“Na ka ikur truri. Janë rritur çmimet. Nuk është e këndshme po… Shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat që marrim”, thanë disa drejtues automjetesh.

Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është e përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Në bursë, çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë në 689 dollarë për ton, nga 750 që ishte një muaj më parë. Po ashtu, dollari vijon të zhvlerësohet. Çmimet e karburanteve rrjedhimisht do duhej të ishin më të lira.

“I bëjmë rritje kryeministrit të hapi rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larat në vitet e fundit”, u shprehën disa drejtues automjetesh.

Shqipëria importoi vitin e shkuar më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në harkun e muajve janar-nëntor u blenë nga jashtë mbi 671 mijë tonë karburant./ A2

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit