

Tiranë, 13 janar 2026
Gjykata e Apelit e GJKKO i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e një pjese të nenit 265 të Kodit të Procedurës Penale, i cili lejon pezullimin kolektiv të afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit në të njëjtën çështje penale.
Sipas Apelit, dispozita aktuale krijon një situatë antikushtetuese, pasi lejon që sjellja procedurale e një të pandehuri ose e mbrojtjes së tij të ndikojë drejtpërdrejt në zgjatjen e paraburgimit për bashkë-të-pandehurit, edhe kur këta të fundit nuk kanë shkaktuar asnjë vonesë në proces.
Në argumentimin e saj, GJKKO thekson se paraburgimi duhet të lidhet ngushtë me përgjegjësinë individuale dhe jo të zbatohet në mënyrë kolektive. Sipas gjykatës, mjafton që një i pandehur të kërkojë shtyrje apo të vonojë gjykimin që afatet e paraburgimit të pezullohen automatikisht për të gjithë, duke cenuar parimin e proporcionalitetit dhe të drejtën për liri personale.
Apeli vlerëson se kjo praktikë bie ndesh me nenet 17, 27 dhe 28 të Kushtetutës së Shqipërisë, si edhe me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë se kufizimi i lirisë duhet të jetë individual, i arsyetuar dhe i justifikuar për secilin person.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, GJKKO thekson se shteti nuk mund të mbajë një person në paraburgim për shkak të veprimeve apo abuzimeve procedurale të të tjerëve në të njëjtën dosje penale. Ky qëndrim përputhet edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka sanksionuar se ndalimi i lirisë nuk mund të justifikohet me sjelljen e palëve të treta.
Nëse Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën, pezullimi i afateve të paraburgimit do të duhet të zbatohet vetëm ndaj të pandehurit që ka shkaktuar vonesën procedurale dhe jo ndaj gjithë personave të përfshirë në të njëjtën çështje.
Vendimi i Kushtetueses pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në një numër të madh dosjesh të SPAK-ut dhe në politikën penale lidhur me masën e paraburgimit, e cila prej muajsh është në qendër të debatit publik për shkak të numrit të lartë të personave të mbajtur në burg pa vendim përfundimtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






