Transmetuar më 13-01-2026, 16:29

Personi që shihni në foto është Altin Ndoci, i shpallur nga Prokuroria e Posaçme SPAK si vrasës me pagesë dhe i cilësuar si ushtari i Çopjave, të cilët njihen në Elbasan dhe më gjerë si organizatë kriminale. Foto është marrë nga kamerat e sigurisë.

Altin Ndoci, është një nga personat e arrestuar fillimisht nga prokuroria e Durrësit dhe më pas gjatë operacionit “Plumbi i artë”.

Me vendimin nr.98 të datës 2 gusht 2024, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, si i dyshuar për: “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, në dy raste, “Vrasje me paramendim”, “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dy raste, “Vjedhje me armë” në dy raste, “Përkrahje e autorit të krimit”, vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Organizatë kriminale”.

Prokuroria përgjatë disa viteve që nga 2020 u bazua në dëshminë e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Klevis Alla, duke ngritur akuzë për Altin Ndocin si të përfshirë në vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.

Por të gjitha këto akuza ranë, për shkak se dhe vetë prokuroria u bind që pretendimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Klevis Alla nuk qëndronin për sa i përket pjesëmarrjes në krim të Altin Ndocit.

Vetë Alla rezultoi se kishte gënjyer dhe për pasojë humbi statusin e bashkëpunëtorit, duke u dënuar me 25 vite burgim.

Mirëpo megjithëse Ndoci fitoi në prill 2024 pafajësinë, ai mbeti në burg me akuza të tjera nga SPAK. Këtë herë, me dëshmi nga bashkëpunëtori tjetër i Drejtësisë, Nuredin Dumani.

Dosja e parë e 2020

Altin Ndoci është njëri prej personave të akuzuar dhe arrestuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës më 27 Prill 2020. Emri i tij kishte dalë për dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, një nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Djali atëherë 33 vjeç, me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, u arrestua nga SPAK në Tiranë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, nën akuzë për një sërë ngjarjesh kriminale, pas dëshmive të 3 të penduarve të drejtësisë.

Dosja e dytë e 2020

Në një dosje tjetër Altin Ndoci, akuzohet nga SPAK dhe Nuredin Dumani si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit