

I akuzuari si vrasës me pagesë, Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK është arratisur nga paraburgimi i Durrësit të martën rreth mesditës dhe autoritetet kanë humbur gjurmët e tij pasi është larguar në drejtim të paditur.
Drejtoria e Burgjeve tha përmes një deklarate për mediat se Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.
Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit", tha DPB.
Siças dëshmive dhe të dhënave të para, i burgosuri ka goditur efektivin dhe është larguar me shpejtësi.
Pesë policë e gardianë e shoqëronin dhe njëri prej tyre drejtonte dhe mjetin e transportit të burgut.
Pasi ka bërë vizitën mjekësore te reparti infektiv, Altin Ndoci ka kërkuar që të shkonte në banjë. Është futur brenda dhe pak më pas ka dalë. Por me të qenë jashtë derës së banjës ka goditur një nga gardianët që ishte te dera dhe ka rendur të dalë nha spitali. Me turravrap shkallët nga kati i tretë deri në daljen e Spitalit, Altin Ndoci e ka çarë shpejt dhe lehtë rrugën madje edhe pasi polici tjetër hapi zjarr në ajër për ta ndalur.
Një Audi e priste afër Spitalit dhe Ndoci iu zhduk gjurmëve të policisë.
Duke pranuar dështimin e forcave të sigurisë dhe duke pohuar se po hetohet nëse ka pasur bashkëpunim, DPB thotë se "pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali".
"Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bën me dije Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Altin Ndoci akuzohet si vrasës me pagesë në një dosje të SPAK si pjesëtar i organizatës kriminale të vëllezërve Çopja dhe akuzohet për disa vrasje, sipas mediave, bazuar kryesisht në dëshmitë e të penduarve të drejtësisë.
/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






