Transmetuar më 13-01-2026, 13:58

Klevis Alla u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen e vëllezërve Haxhia në vitin 2020 ndërsa Altin Doçi (Ndoci) u shpall i pafajshëm.

Këtë dënim e ka dhënë më 14 nëntor 2024 gjyqtarja Irena Gjoka dhe dyshja tjetër e trupit gjykues, Erjon Bani dhe Erjon Çela.

Gjykata e Posaçme e Apelit duke dënuar me 25 vite burg Klevis Allën, dha gjithashtu 6 vite burg Besian Xhixhën dhe 5 vite burg Enver Divën. Që të gjithë ishin nën akuzë për përfshirje në vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia, ngjarje e ndodhur në Durrës në Mars të 2020, si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt.

Alla u dënua pasi humbi statusin e bashkëpunëtorit sepse u akuzua se dha dëshmi të rreme.

Ai pati deklaruar se autorë në vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj dhe shokëve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, ishin Talo Çela dhe Altin Ndoci, duke devijuar kështu sipas SPAK, të vërtetën e ngjarjes.

Altin Ndoci është njëri prej personave të akuzuar dhe arrestuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës më 27 Prill 2020. Emri i tij ka dalë për dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, një nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Prokuroria mori në konsideratë thëniet e Nuredin Dumanit dhe kështu GJKKO pushoi akuzat ndaj Altin Ndocit duke e shpallur të pafajshëm.

Lidhur me këto dy vrasje më herët ishin pushuar akuzat edhe për Talo Çelën, teksa vijojnë të kenë probleme me drejtësinë për ngjarje të tjera kriminale.

Detajet e vendimit

Klevis Alla u dënua me 25 vite burg për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës. Ndërkohë që u dha pafajësi për Altin Ndocin.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët, Irena Gjoka, Erjon Cela dhe Erjon Bani, bazuar në nenet 379, 380, 383, 384, 388/1, gërma “d”, 389, 390, 393, 415, si dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Klevis Alla për veprën penale të “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza, Anxhelo Avdia, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” parashikuar përkatësisht nga nenet 79/d/dh, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

2.2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Klevis Alla për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 vjet burgim.

2.3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Klevis Alla për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

2.4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Klevis Alla për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 80 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

2.5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Klevis Alla për veprën penale “Vjedhja” në bashkëpunim, në dëm të viktimave Marsel Jashari dhe Anisa Çupi, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

2.6. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Klevis Alla me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim”, thuhet në vendim.

Vëllezërit Haxhia u vranë në Shënavlash të Durrësit. Ata u ekzekutuan brenda makinës së tyre “Voklswagen”, me 55 plumba.

Alla kishte deklaruar se autor i vrasjes ishte i penduari tjetër i drejtësisë, Nuredin Dumani, dhe një person tjetër.

Në dëshminë e tij ai tha se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Duminin i cili mbante në kokë një kapuç dhe bashkë me të ishte edhe një person tjetër të cilin dëshmitari thotë se nuk e njihte por dyshohet të ketë qenë Henrik Hoxha, i cili në dëshminë e tij e ka pranuar përfshirjen në krim. Para gjykatës, Alla pranoi se e ka telefonuar Besmir Haxhinë për tu takuar, dhe ai “nuk është vonuar shumë dhe ka ardhur tek tregu i Shënavlashit”.

“Sapo makina tip “Golf 6″ është afruar, Nuredin Dumani ka ulur xhamin e mjetit dhe ka qëlluar, ndërsa autori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur. Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Nuredini ka zbritur nga makina dhe është afruar ku ka qëlluar sërish mbi ta. Pas këtij veprimi ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe ai personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës”, ka dëshmuar ai.

Më tej ai kishte treguar më tej se e ka braktisur makinën “Mercedez Benz” disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit. Një ditë pas krimit, Alla kishte lëvizur makinën nga vendi ku e kishte lënë pasi, kishte parë se në zonë kishte lëvizje të policisë.

“Të nesërmen kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë pasi në zonë po lëviznin disa policë”, thuhej në dëshminë e tij.

Kush është Altin Ndoci

Altin Ndoci akuzohet nga SPAK, si vrasës me pagesë i rekrutuar nga disa kriminelë të rrezikshëm të lodhur kryesisht me serial krimesh të rënda në Elbasan dhe Itali.

Ndoci është vënë nëm hetim nga SPAK-u për vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, etj.

Ai akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë Endrit Alibej i njohur si Tarzani, xhaxhait të këtij, Arben Dylgjeri, si dhe një shtetasi turk, Erdal Durunay. Ngjarja kishte ndodhur më 29 dhjetor 2019 në Bradashesh, fshat në hyrje të qytetit Elbasan.

Ndoci u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës.

Në nëntor 2024 mori pafajësi, por megjithatë SPAK ngriti akuzë tjetër më 18 tetor 2025.

/noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit