

Në kuadër të 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, u zhvillua sot një ceremoni përkujtimore në nderim të punonjësve të policisë që kanë dhënë jetën në kryerje të detyrës.
Në memorialin përkujtimor të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Zëvendësministrin e Brendshëm, z. Xhemal Qefalia, dhe familjarë të dëshmorëve, vendosën kurora me lule si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën e tyre.
Gjatë ceremonisë, Drejtori i Përgjithshëm shprehu nderimin më të lartë për dëshmorët e Policisë së Shtetit, të cilët u cilësuan si dëshmorë të Atdheut, duke theksuar se sakrifica e tyre përfaqëson një themel të rëndësishëm të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.
“Sakrifica sublime dhe emri i secilit prej ish-kolegëve tanë janë një motiv i fuqishëm që Policia e Shtetit të jetë sot më e përkushtuar se kurrë për të mbrojtur vlerat kombëtare, si dhe sigurinë, jetën dhe pronën e çdo qytetari,” u shpreh Proda.
Ceremonia u shoqërua me momente reflektimi dhe respekti, duke përcjellë mesazhin se kujtimi dhe vepra e dëshmorëve mbeten të gjalla në misionin e përditshëm të Policisë së Shtetit.
Lavdi veprës dhe sakrificës së Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Kujtimi i tyre mbetet i përjetshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






