

TIRANË – Prodhimi bujqësor në zonat më intensive të vendit po përballet me një goditje të fortë zinxhir, pas një serie përmbytjesh dhe temperaturash ekstreme që kulmuan me ngricat e ditëve të fundit. Të dhënat zyrtare dhe raportimet nga terreni tregojnë se dëmet janë të mëdha dhe me pasoja afatmesme për tregun e brendshëm dhe eksportet.
Ngricat e ditës së parë të vitit, të pasuara nga përmbytjet masive dhe më pas nga një valë e re ngricash, kanë shkatërruar prodhimin në fazë vjeljeje dhe kanë dëmtuar rëndë fidanët e sezonit të hershëm, veçanërisht në qarqet e Fierit, Lushnjës dhe Beratit, zona që përfaqësojnë zemrën e bujqësisë intensive shqiptare.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në ditët e fundit ishin përmbytur rreth 13 mijë hektarë tokë bujqësore. Në Myzeqe, përmbytjet kanë prekur fshatra të njohur për përqendrimin e lartë të serrave dhe prodhimin e hershëm për tregun vendas dhe eksport. Uji ka depërtuar në parcela të mbjella dhe në struktura plastike, duke qëndruar për ditë të tëra dhe duke shkaktuar dëme të pakthyeshme.
Në territorin e Lushnjës, zona si Plug, Karavasta e Re dhe Krutja rezultojnë ndër më të goditurat. Serat janë mbajtur nën ujë për periudha të gjata, çka ka sjellë humbje të konsiderueshme të prodhimit dhe dëmtim të strukturave. Në Fier, përmbytjet kanë përfshirë fshatra me traditë në kultivimin në sera, si Hoxhara, Suk 1 dhe Kallmi i Madh, ku uji ka bllokuar edhe rrugët lidhëse dhe kanalet kulluese, duke pamundësuar ndërhyrjen e shpejtë të fermerëve.
Situata paraqitet po aq e rëndë edhe në qarkun e Beratit. Fermerë nga zona të ultësirës përgjatë lumenjve, si Otllaku, Velabishti dhe Kozara, raportojnë se tokat dhe serat kanë mbetur të përmbytura për periudha të zgjatura. Sipas tyre, kjo ka sjellë kalbje të rrënjëve, humbje masive të fidanëve dhe nevojën për të nisur nga e para ciklin e prodhimit. Ngricat e dy ditëve të fundit kanë përkeqësuar më tej situatën, duke dëmtuar edhe kulturat që nuk ishin prekur drejtpërdrejt nga uji.
Dëmet nuk janë kufizuar vetëm në bujqësi. Në disa zona të Dimalit në Berat, raportohen humbje të mëdha në blegtori, përfshirë rezervat ushqimore për bagëtitë dhe ngordhjen e mijëra shpendëve. Zonat e përmbytura janë aktualisht në emergjencë për sigurimin e ushqimit për kafshët.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se zonat e prekura nga përmbytjet dhe ngricat kontribuojnë rreth 65% të prodhimit total të perimeve në vend dhe pothuajse 80% të eksporteve të produkteve të freskëta bujqësore. Kjo e bën ndikimin e krizës aktuale shumë më të gjerë sesa humbjet individuale të fermerëve.
Ekspertët paralajmërojnë se përveç goditjes direkte në të ardhurat e fermerëve, këto dëmtime pritet të reflektohen edhe në rritje të çmimeve me pakicë të produkteve bujqësore dhe në ulje të eksporteve. Kjo vjen në një moment kur eksportet e ushqimeve dhe pijeve kanë qenë ndër të paktat që kanë ruajtur ritme pozitive rritjeje gjatë vitit të kaluar.
Humbjet e shkaktuara nga përmbytjet dhe ngricat tejkalojnë kapacitetin financiar të shumicës së familjeve bujqësore. Në mungesë të subvencioneve të qëndrueshme dhe të skemave funksionale të sigurimit bujqësor, fermerët shqiptarë mbeten të ekspozuar plotësisht ndaj rreziqeve klimatike. Ndryshe nga vendet e Bashkimit Evropian, ku shteti mbulon një pjesë të primit të sigurimit për bujqësinë, në Shqipëri mungesa e kësaj mbështetjeje e lë sektorin një nga më vulnerabël ndaj ndryshimeve ekstreme të motit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






