

TIRANË – Dy javë pas nisjes së vitit 2026, buxheti i shtetit vijon të shlyejë fatura që i përkasin muajit dhjetor 2025, duke zhvendosur realisht një pjesë të barrës financiare të vitit të kaluar në vitin e ri buxhetor.
Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i Ministrisë së Financave, vetëm për faturat e datës 24 dhjetor janë kryer pagesa në vlerën e rreth 380 milionë lekëve, ose afro 3 milionë euro. Ndërkohë, për faturat e datës 31 dhjetor janë paguar mbi 505 milionë lekë, që përkthehen në rreth 5.5 milionë euro. Këto janë vetëm disa raste ilustrative, pasi pjesa më e madhe e pagesave të realizuara nga thesari në ditët e para të janarit 2026 i referohen detyrimeve të krijuara në dhjetor 2025.
Ekspertët e financave publike theksojnë se, nga pikëpamja ligjore, pagesa e faturave të dhjetorit në fillim të vitit pasardhës është e lejueshme. Sistemi buxhetor shqiptar funksionon kryesisht mbi bazën “cash”, çka do të thotë se shpenzimet regjistrohen në momentin e pagesës dhe jo në momentin kur lind detyrimi ekonomik.
Megjithatë, kjo praktikë sjell pasoja të rëndësishme në pasqyrimin real të financave publike. Një faturë për shërbime apo mallra të kryera në dhjetor, por e paguar në janar, llogaritet ligjërisht si shpenzim i vitit të ri. Edhe pse nuk përbën shkelje të ligjit për menaxhimin e financave publike, kjo mënyrë raportimi deformon treguesit fiskalë, ul artificialisht deficitin e vitit të kaluar dhe dëmton transparencën buxhetore.
Në praktikë, pagesat e shtyra nga dhjetori në janar bëjnë që kostoja reale e qeverisjes së një viti të mos reflektohet plotësisht në bilancin përfundimtar të tij, duke ia transferuar barrën financiare vitit pasardhës. Kjo sjell vështirësi për publikun dhe Kuvendin në vlerësimin e saktë të performancës fiskale të qeverisë.
Sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, shpenzimet duhet të regjistrohen në momentin kur lind detyrimi ekonomik dhe jo kur kryhet pagesa, një praktikë që synon pasqyrim më realist të situatës buxhetore.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë muajit dhjetor 2025, nga data 2 deri më 29 dhjetor, janë kryer pagesa në vlerën e rreth 84 miliardë lekëve, ose rreth 840 milionë euro. Ndërsa për gjithë periudhën nga 1 janari deri më 29 dhjetor 2025, shpenzimet totale nga thesari arritën në rreth 722.6 miliardë lekë, krahasuar me një plan vjetor prej 831.7 miliardë lekësh. Kjo krijoi një tepricë buxhetore prej rreth 109 miliardë lekësh, ose afërsisht 1.1 miliardë euro, një ditë para mbylljes së vitit fiskal.
Pavarësisht miratimit çdo vit të një buxheti në rritje, ekzekutimi real vijon të mbetet nën planin e miratuar nga Kuvendi. Kjo ndodh në një kohë kur vendi përballet me nevoja të larta sociale dhe ekonomike, me rreth 20% të popullsisë në varfëri relative dhe nivele të larta emigracioni.
Në vitin 2025, teprica buxhetore rezultoi edhe më e lartë, për shkak të kufizimit të pagesave në dhjetor, të lidhura me hetime në vijim. Sipas ekspertëve, përdorimi i tepricës buxhetore për uljen e borxhit publik është një alternativë më e shëndetshme sesa keqmenaxhimi i fondeve, siç kanë evidentuar edhe hetimet e fundit të SPAK.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






