

TIRANË – Presidenti i Republikës ka dekretuar paketën e re fiskale, duke hapur zyrtarisht rrugën për zbatimin e ligjeve që lidhen me Marrëveshjen e Paqes Fiskale, fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore e doganore, si dhe ndryshimet në ligjin e TVSH-së, përfshirë rimbursimin 10% për fermerët.
Dekretimi dhe botimi në Fletoren Zyrtare janë kushtet kryesore që këto ligje të hyjnë në fuqi dhe të nisin zbatimin nga administrata tatimore dhe doganore. Deri më tani, në Fletoren Zyrtare është publikuar vetëm ligji për “Rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme”, ndërsa ligjet e tjera pritet të botohen në vijim.
Ndër aktet që kanë ngjallur interes të lartë nga biznesi janë Marrëveshja e Paqes Fiskale dhe ligji për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime dhe dogana, pavarësisht rezervave të shprehura nga institucionet ndërkombëtare. Sipas burimeve nga Administrata Tatimore, aktualisht kërkesat e bizneseve për nënshkrimin e marrëveshjes po refuzohen, për shkak të mungesës së akteve nënligjore që përcaktojnë procedurat konkrete të zbatimit.
Administrata Tatimore dhe Ministria e Financave kanë sqaruar se ligjet do të zbatohen vetëm pas dekretimit nga Presidenti, botimit në Fletoren Zyrtare dhe miratimit të udhëzimeve përkatëse. Për ligjin e fshirjes së detyrimeve tatimore dhe doganore, udhëzimi duhet të miratohet brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi, ndërsa për Marrëveshjen e Paqes Fiskale afati është deri në tre muaj.
Ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe shtrin efektet deri në vitin tatimor 2028. Marrëveshja do të zbatohet fillimisht për një vit tatimor, me të drejtë rinovimi për dy vite të tjera. Procedurat për hartimin, komunikimin elektronik, regjistrimin dhe administrimin e marrëveshjes, si dhe trajtimin e rasteve të refuzimit apo pavlefshmërisë, do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Sipas ligjit, Marrëveshja e Paqes Fiskale përfundon në disa raste, përfshirë ndryshimin e aktivitetit ekonomik, mosrealizimin e rritjes minimale prej 18% të fitimit të tatueshëm, ndërprerjen e aktivitetit, shkeljet e përsëritura tatimore, mospagimin e detyrimeve sipas marrëveshjes apo realizimin e një rritjeje të fitimit mbi 50% krahasuar me vitin paraardhës.
Aplikimi për Marrëveshjen e Paqes Fiskale do të bëhet nga tatimpaguesit përmes platformës elektronike “e-filing”, brenda afatit të dorëzimit të deklaratës vjetore të të ardhurave. Për vitin e parë të zbatimit, afatet do të përcaktohen me udhëzim të veçantë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Propozimi i marrëveshjes do të hartohet nga administrata tatimore dhe do t’i komunikohet tatimpaguesit elektronikisht, i cili ka të drejtë ta pranojë ose refuzojë deri më 15 prill.
Nga ana tjetër, ligji për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të zbatohet për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026.
Ndërkohë, ndryshimet në ligjin e TVSH-së parashikojnë kompensimin 10% të TVSH-së për fermerët për shitjet e produkteve bujqësore ndaj grumbulluesve, përpunuesve dhe agrobizneseve të certifikuara. Ky kompensim do të realizohet përmes autofaturave të lëshuara nga blerësit e produkteve bujqësore.
Me dekretimin e paketës fiskale, qeveria synon të lehtësojë barrën tatimore për bizneset dhe individët, të rrisë formalizimin e ekonomisë dhe të krijojë një klimë më bashkëpunuese mes tatimpaguesve dhe administratës fiskale, ndërsa zbatimi praktik pritet të nisë pas plotësimit të gjithë kuadrit nënligjor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






