Transmetuar më 12-01-2026, 20:08

TIRANË – Gjykata Kushtetuese ka publikuar arsyetimin e plotë të vendimit me të cilin riktheu në detyrë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke vlerësuar se procedura e shkarkimit të tij nuk respektoi garancitë kushtetuese që mbrojnë mandatin e një të zgjedhuri vendor.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se ndërprerja e mandatit të Veliajt u bë në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk u respektua procesi i rregullt ligjor dhe standardet e mbrojtjes së të drejtave themelore të funksionarëve të zgjedhur.

Gjykata sqaron se juridiksioni kushtetues aktivizohet sa herë që preket mandati i një organi të zgjedhur vendor, pavarësisht shkaqeve formale të referuara në ligjin për vetëqeverisjen vendore. Sipas saj, neni 115 i Kushtetutës garanton një kontroll të drejtpërdrejtë kushtetues në raste të tilla, edhe kur autoritetet mbështeten në dispozita të ligjeve të zakonshme.

Në arsyetim thuhet se neni 62 i Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore nuk ka fuqi autonome për të ndërprerë mandatin e një kryebashkiaku. Shkaqet e parashikuara në këtë nen, përfshirë mungesën tremujore nga detyra, nuk mund të interpretohen si arsye të pavarura për shkarkim, por vetëm si konkretizim i nocionit kushtetues të “shkeljes së rëndë”.

Një tjetër pikë kyçe e vendimit lidhet me mungesën për arsye objektive. Gjykata vlerëson se paraburgimi, si masë sigurimi, nuk mund të barazohet automatikisht me një shkelje të rëndë dhe nuk mund të prodhojë pasoja administrative apo politike pa një vlerësim individual dhe proporcional të rrethanave.

Po ashtu, Kushtetuesja konstaton cenim të procesit të rregullt ligjor, duke theksuar se kërkuesit nuk iu garantua realisht e drejta për t’u njoftuar, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur. Sipas gjykatës, procedura e ndjekur nuk siguroi një shqyrtim të drejtë dhe të balancuar të situatës konkrete.

Në vendim theksohet gjithashtu se dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve nuk mund të ndikojë mbi një proces kushtetues ende të hapur. Gjykata nënvizon se, sipas nenit 115 të Kushtetutës, efektet e shkarkimit pezullohen automatikisht deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, çka e bën të pavlefshëm çdo veprim paralel që synon zëvendësimin e organit të zgjedhur.

Në përfundim, vendimi i Gjykatës Kushtetuese riafirmon mbrojtjen e fortë kushtetuese të mandateve të të zgjedhurve vendorë, kufizon diskrecionin e pushtetit ekzekutiv në ndërhyrjet ndaj pushtetit vendor dhe forcon rolin e Kushtetueses si garant i autonomisë vendore dhe i parimeve të demokracisë përfaqësuese. vend6625-1768244466

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit